Pas video-skandalit, Kancelari i Austrisë kërkon zgjedhje të parakohshme

Pas skandalit me videon e zv.Kancelarit të Austrisë Heinz-Christian Strache, Kancelari austriak ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, shkruan TvKlan, transmeton gazeta Koha.

“I kam sugjeruar Presidentit të Republikës që të mbahen zgjedhje të reja, sa më shpejt që të jetë e mundur”, bëri të ditur Kancelari Sebastian Kurz.

“Pas videos së djeshme, duhet të them mjaft. Mjaft është mjaft. Pjesa serioze e kësaj video ishte sjellja ndaj abuzimit të pushtetit, duke bërë marrëveshje me paratë e taksapaguesve, me mediat”, tha Kancelari i Austrisë, duke shtuar se ndihej i ofenduar nga kjo video.

Në videon e publikuar nga mediat gjermane “Spiegel” dhe “Süddeutsche Zeitung”, zv.Kancelari austriak Heinz-Christian Strache takohet me një investitore nga Rusia që pretendon të jetë e bija e një oligarku. Ai i kërkon asaj të blejë 50% të aksioneve të “Kronen Zeitung”, një prej të përditshmeve më të mëdha vendase, e cila do të ndryshojë linjën editoriale për të mbështetur partinë e tij. Në këmbim, ai i ofron asaj akses të gjerë në tenderat e ndërtimit të autostradave.

Pas publikimit të video-skandalit, zv.Kancelari dha dorëheqjen. Partia e tij e ekstremit të djathtë në Austri është në koalicion qeverisës me Partinë Popullore të Qendrës së Djathtë të Sebastian Kurz.