Nga Qerim LITA
Fushëveprimi i parisë shqiptare, krahas atij diplomatik u përqendrua edhe në aktivitetin e brendshëm, i cili zhvillohej përmes mbledhjeve dhe tubimeve të ndryshme të organizuara anë mbanë trevave shqiptare nën pushtimin jugosllav. Tema boshte e këtyre takimeve, siç bënin të ditur raportet ushtarake e policore jugosllave, ishte, ndërprerja e shpërnguljes së popullsisë shqiptare nga vatrat e tyre. Armata e III në Shkup, në janar të vitit 1938 i raportonte Komandës së Shtatmadhorisë në Beograd, për një propagandë të fuqishme që po zhvillohej në Dibër të Madhe kundër shpërnguljes. “Shqiptarët nga Dibra të cilët kanë farefis në Shqipëri – thuhej në raport – kanë marrë nga ata letra nëpërmjet të cilave i këshillojnë që bagëtinë dhe pronat në asnjë mënyrë të mos i shesin dhe të mos shpërngulen për Turqi ose Shqipëri, sepse patjetër duhet të ngelin në qytet që të gjithë, ashtu që për ta parë faktori ndërkombëtar se ato vise janë të banuara kryesisht me shqiptarë, ndërsa në Shqipëri për këtë çështje punohet me një intensitet të lartë dhe se ekziston shpresa e arsyeshme se për këtë do të ketë sukses”. Në referatin të hartuar në qershor të vitit 1938 nga Departamenti Informativ pranë Shtabit të Përgjithshëm në Beograd, kushtuar aktivitetit të Komitetit të Kosovës, thuhej se anëtarët e dikurshëm të këtij komiteti: Maxhun Limani nga Krasniqja, Sali Mani nga Malësia e Gjakovës dhe Mehmet Alia nga fshati Vllahnje, në kohët e fundit kanë mbajtur disa mbledhje, në të cilat “i kanë bindur rrethet e veta, se së shpejti viset në Kosovë, me ndihmën e fuqive të mëdha, do të bashkohen me Shqipërinë”. Në qoftë se fuqitë e mëdha – vazhdonte referati “nuk do të arrijnë ta bindin Jugosllavinë që këto vise t’i jepen Shqipërisë, do të mbahet plebishit ku kërkesa e popullit do të realizohet në ngjyrën e saj të vërtetë…”.
Lidhur me aktivitetet e bujshme, që zhvilloheshin nga krerët e Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës, të organizatës Besa, të Bashkësisë Islame dhe Kishës Katolike Shqiptare, gjatë vitit 1938 shërbimi sekret i armatës jugosllave bënte të ditur se: “Në kohë të fundit po vërehet një lëvizje te shqiptarët për shkak aktiviteteve të pushtetit në konfiskimin e tokës. Shqiptarët…. shkojnë në Shkup deri te konsulli shqiptar dhe kërkojnë nga ai mbrojtje, ndërsa katolikët ju drejtohen klerikëve të tyre. Në përgjithësi gjendja është e alarmuar”.
Ndërkohë, komandanti i Armatës së III-të, Millan S. Jekmeniç nga Shkupi, e vinte në dijeni Shtabin e Përgjithshëm të Armatës, se Ferhat Draga kishte filluar një aksion në mbarë hapësirën shqiptare. Sipas vlerësimit të tij, nën ndikimin e aksionit të Ferhad bej Dragës dhe zhvillimeve politike ndërkombëtare, propaganda shqiptare në Jug asnjëherë nuk kishte qenë më e gjallë. Ai më tej e përshkruan gjendjen “jo të sigurt” të elementit serb në trojet e pushtuara shqiptare, për shkak siç thuhej në dokument se: “Në mesin e serbëve në Serbinë e Jugut përhapet informacioni, se shqiptarët përgatiteshin për kryengritje, të cilët do të kryenin një kasaphane të vërtetë mbi popullsinë serbe, veçanërisht mbi kolonat…”.
Qeveria jugosllave e pakënaqur me dinamikën e shpërnguljes, në tetor të vitit 1938 kërkoi plotësimin e Konventës, të cilës t’i shtohej edhe shkëmbimi i popullsisë, përkatësisht dëbimi i 100.000 shqiptarëve e turqve për në Turqi dhe vendosjen e elementit ortodoksë nga Turqia në Jugosllavi. Mirëpo, këto shifra nuk i kënaqnin apetitet e pushtetarëve serbo-mëdhenj, sepse sipas tyre dëbimi i 400.000 shqiptarëve nuk i plotësonte “interesat e tyre shtetërore e nacionale serbe”, e që ishte “dëbimi deri në shqiptarin e fundit” nga tokat e tyre etnike dhe kolonizimi i tyre me elemente serbe e malazeze. Nisur nga kjo, ata planifikonin që në pjesën e parë të vitit 1939, të nënshkruajnë një konventë të ngjashme sikurse me Republikën e Turqisë edhe me Qeverinë Mbretërore të Shqipërisë, për shkëmbim të popullsisë, përkatësisht dëbimin e 100.000 shqiptarëve mysliman në Shqipëri dhe sjelljen e 100.000 shqiptarëve krishterë në Jugosllavi, që ata i konsideronin për “serb”. Për realizimin e këtyre planeve antishqiptare, qeveria jugosllave parashikonte themelimin e Inspektoratit Suprem, me qendër në Shkup dhe me dy qendra rajonale në Prishtinë e Pejë. Themelimi i këtij inspektorati u iniciua nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila në elaboratin me titull “Problemet dhe metodat e shpërnguljes së shqiptarëve dhe turqve nga Serbia e Jugut për në Turqi”, hartuar më 23 tetor 1938, ndër të tjerave shkruante: “Që të mund të zbatohet me trazira sa më të vogla kjo punë e rëndë e delikate për interesin shtetëror e kombëtar, nevojitet sa më parë, që në muajin janar të themelohet Inspektorati Suprem, për shpërnguljen e shqiptarëve e turqve për në Azi, me qendër në Shkup, i cili do të ketë dy qendra të veta rajonale, në Prishtinë dhe Pejë”.
Është me interes të vihet në pah fakti se ndër metodat më të shpeshta që përdoreshin ndaj popullsisë shqiptare për t’i detyruar të lënë vatrat e tyre, ishte konfiskimi i tokave pjellore, duke u lënë atyre nga 0,40 hektarë për anëtarë familje, ndërsa pjesa tjetër u shpërndahej kolonistëve serb. Kjo shpërndarje sipas elaboratit të mësipërm bëhej si vijon: familjeve të nëpunësve u ndahej nga 5 hektarë; për çdo fëmijë mashkull deri më 16 vjet nga 1 hektarë; për çdo fëmijë mashkull mbi 16 vjet nga 2 hektarë; çdo mashkull mbi 20 vjet i pa martuar 3 hektarë ndërsa i martuar 4 hektarë; luftëtarëve vullnetarë nga 5 hektarë ndërsa jo vullnetarëve 3 hektarë. Përveç kësaj u jepej edhe nga 2 hektarë për pyllëzim dhe sasi të konsiderueshëm të tokës jo kualitative, si dhe tërë inventarin e nevojshëm për përpunimin e tokës.
Qëllimi i kësaj politike, siç theksohet në raportet e ndryshme të organeve policore dhe ushtarake serbe, ishte “dëshpërimi i banorëve shqiptarë”, sidomos i fshatarsisë “që shtriheshin buzë Malit Sharë, e deri në linjën Kumanovë – Prishtinë”, ku sipas tyre “fshatrat shqiptare janë tepër kompakte”. Pushtetarët e Beogradit shpresonin, se nëpërmjet këtij presioni do të mund t’i detyrojnë shqiptarët, t’i shesin pronat dhe shtëpitë e tyre, për t’u shpërngulur në Turqi apo Shqipëri. Parashikimet serbe nuk do të realizohen, sepse udhëheqja kombëtare e fetare shqiptare në bashkëpunim me konsullatën shqiptare në Shkup, morën një sërë aktivitetesh, kryesisht informative, në mbarë hapësirën shqiptare nën Jugosllavi, ku veç tjerash, apelonin te fshatarësia shqiptare, që mos ta shesin tokën e tyre sepse, sipas tyre, pushtetarët: “mund t’u konfiskojnë gjithçka por shtëpitë nuk mund t’ua merr”, dhe se kjo politikë “është afatshkurtre ku do të vijë dita që Shqipëria do t’i çliroj të gjitha viset e robëruara shqiptare edhe atë nga Shkupi e deri në Prishtinë.”. Kështu, sipas burimeve policore serbe : “Shqiptarët janë tepër të dëgjueshëm ndaj kërkesave të parisë së tyre” dhe se “tani më rreth tre vite të tëra nuk shesin as një pëllëmbë tokë”.
Veprimtaria atdhetare e Ferhat bej Dragës dhe bashkëveprimtarëve të tij, më së miri përshkruhet në Analizën me titull “Propaganda shqiptare”, hartuar më 12 mars të vitit 1939 nga kryeshefi i njësisë administrativ në Shkup, Nik Dimitrijeviq. Në të ndër të tjerave thuhej se pas vrasjes së Hasan Prishtinës, irredentizmit shqiptar i prinë Ferhat bej Draga, veprimtaria e të cilit “zbatohet përmes rrugës konspirative”. Shenja të dukshme të veprimit të Dragës dhe miqve të tij, ishin “përpjekjet që shqiptarët të tubohen në radhët e ngushta, të zgjedhin njerëzit e tyre, të cilët do t’i përfaqësojnë në Kuvendin Kombëtar si dhe njerëzit e tyre në krye të administratave komunale”. Ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij ishin mësuesit e mësim-besimit fetar, hoxhallarët dhe zyrtarët e vakëfeve. Me qëllim “që kompaktësia të jetë sa më e madhe -thuhej më tej në analizë – ka ardhur edhe deri te pajtimi i gjaqeve e të kontesteve tjera nga ana e parisë shqiptare”. Aktiviteti politik i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare përfshinte dy pika më të rëndësishme:
- Shpërndarja në popull të literaturës shqiptare, e cila depërtonte ilegalisht përmes kufirit; dhe
- Ndërprerja e tërësishme e shpërnguljes së shqiptarëve, qoftë për Turqi qoftë për Shqipëri.
Sipas Dimitrijiviqit, ky aktivitet i parisë shqiptare, mësuesve fetarë si dhe të përfaqësive diplomatike shqiptare në Shkup, Manastir e Beograd, pati ndikim vendimtar që “lëvizja për shpërnguljen, e cila qe përfshirë te popullsia e jonë shqiptare deri në vitin 1936 sot të ngulfatet”, përkundër faktit se deri në atë periudhë kohore, fshatra të tëra ishin të gatshme t’i lëshojnë vatrat e tyre dhe t’i lënë pasurit e tyre pa as çfarë dëmshpërblimi “vetëm se shteti t’i liroj nga tatimi i tokës, t’u jep pasaporta pa pare dhe t’ua paguaj rrugën deri në kufirin tonë”. Nuk patën sukses “as masat e rrepta agrare, as konfiskimi i armatimit”, prandaj, rruga e vetme që kjo çështje të filloj nga pika fillestare është “shpërngulja përmes rrugës së caktuar diplomatike sipas Konventës së nënshkruar me Turqinë, edhe pse shqiptarët flasin publikisht se në asnjë mënyrë nuk do t’i lëshojnë vatrat e tyre…”. (vijon nesër)