Edhe sot e kësaj dite qytetarët janë duke pritur që ky projekt të përfundojë
Urim HASIPI
Tetovë, 14 tetor – Që në fund të mandatit të parë të kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, ishte paralajmëruar rregullimi i pjesëve anësore të bulevardit “Marshall Tito”. Në atë kohë ishte paralajmëruar se tërësisht kjo pjesë e qytetit të Tetovës do të rikonstruohet dhe do të ketë pamje tjetër. Punimet filluan dhe u vendosën vetëm pllaka bekatoni, kurse pjesa e gjelbërimit dhe ndriçimit nuk u përfundua. Ky projekt mbeti pezull dhe punimet disa herë fillonin dhe ndërpriteshin për arsye të ndryshme, zakonisht për mungesë të mjeteve financiare.
Pothuajse kanë kaluar tre vite që kur kishin nisur punimet të cilët ishin mirëpritur nga qytetarët, për shkak se pjesa kryesore e qytetit ishte lënë në harresë. Ishin rregulluar edhe muret për vendosjen e gjelbërimit dhe ndriçimit, por më pas të njëjtat u ndërprenë për dy vite me radhë. Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, është shprehur se ky projekt do të vazhdojë dhe do të rifillojnë punët përfundimtare, po sërish nuk ka dhënë ndonjë afat konkret. Punët kishin mbetur që në fazën e parë dhe tashmë Arifi thotë se do të vijojnë punët rreth fazës së dytë. “Ka filluar faza dytë dhe përfundimtare e rregullimit të shëtitoreve në bulevardin “Iliria”, nga rrethrrotullimi tek Vero deri në Sheshin Iliria. Me përmbylljen e këtij projekti është paraparë kryerja e disa punëve të mbetura ndërtimore, vendosja e pajisjeve urbane, ulëseve, shportave për mbeturina, vendparkimeve për biçikleta, vendosja e shtyllave të ndriçimit publik, si dhe rregullimi i zhardinjerave të gjelbra dekorues. Me finalizimin e këtij projekti, pjesa qendrore e qytetit do të marrë një pamje të re estetike dhe funksionale”, thotë Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës.
Në vitin 2017, Teuta Arifi kishte bërë të njëjtin premtim, por që atëherë e këndej nuk ishte punuar aspak. “Gjithsej do bëhet fjalë për rregullim të hapësirës publike në sipërfaqe prej 15.000 m2, ku përveç shtigjeve dhe zhardinjerave të ngritura për gjelbërim, do të bëhet edhe vendosja e gjithsej 73 shtyllave për ndriçim publik, 12 shatërvanëve me ujë për pije, 75 mbrojtës metalik për trungjet e drunjve, 22 shporta për mbeturina, 32 kontruksione për parkim të biçikletave si dhe 233 ulëse të drurit për qytetarët” kishte premtuar Arifi në vitin 2017. Por edhe sot e kësaj dite qytetarët janë duke pritur që ky projekt të përfundojë. (koha.mk)