Driton ZENKU
Gostivar, 16 shkurt – Medreseja e femrave “Isa Behu” dega në Gostivar, tashmë 9 vite po funksionon si shkollë e mesme fetare në qytetin e Gostivarit, shkruan gazeta KOHA. Gati një dekadë, ligjëratat po mbahen në suaza të objektit të Muftinisë së Gostivarit, ndërkohë që në mars të vitit 2014 në Zonën e shtatë të qytetit filloi ndërtimi i objektit të medresesë. Gati tre vite nga fillimi i ndërtimit, deri në kompletimin e këtij kompleksi edukativo-arsimor duket që do të duhet edhe një periudhë kohore. Është ndërtuar objekti deri në kulm, por nevojitet fasadimi i brendshëm dhe i jashtëm si dhe sigurimi i inventarit të nevojshëm. Drejtori i Medresesë qendrore “Isa Behu” në Shkup, Ibrahim Idrizi shpreson që viti i ri shkollor 2017-2018 për medresantet e Gostivarit do të fillon në objektin e ri. “Dinamika e punimeve po zhvillohet në bazë të projektit dhe planit të paraparë për ndërtimin e objektit. Mendoj që në vitin shkollor 2017-2018 paralelet e vajzave në Gostivar, do të vendosen në objektin e ri shkollor”, thotë pwr KOHA, Idrizi. Përgjegjësi i medresesë së Gostivarit, njëherësh edhe muftinisë së qytetit Shaqir shpreh kënaqësinë që tashmë kjo medrese është bërë një qendër rajonale për edukimin e femrave Myslimane në frymën e edukatës fetare Islame, duke mbajtur tashmë në gjirin e vet edhe nxënëse nga Kërçova, Dibra dhe qytetet e tjera të Maqedonisë perëndimore. Deri në një fazë, projekti u realizua me financim të përbashkët mes asociacionit për edukim vullnetar të Turqisë, Bashkësinë Islame dhe Muftininë e Gostivarit. Objekti posedon tre kate, dhe pos 10 mësonjëtoreve do të posedon dy kabinete,një sallë mësimore, bibliotekën dhe zyrat administrative. Shkolla e Mesme Islame “Medreseja Isa Beu”, është shkollë e orientuar profesionale dhe bën pjesë në rangun e shkollave të mesme të Republikës së Maqedonisë. Diplomat që dalin nga ky institucion janë të pranueshme nga institucionet e shtetit. Edhe pse medreseja filloi të funksionon në vitin 2008, Gostivari edhe më herët ka pasur një objekt të tillë edukativo – arsimor të fesë. Madje një nga monumentet e vjetra historike të qytetit të Gostivarit llogaritet edhe medreseja e vjetër që ndodhet në suaza të kompleksit të Myftinisë dhe Xhamisë së Sahatit në Gostivar. Medreseja e vjetër e Gostivarit mendohet të jetë ndërtuar menjëherë pas Xhamisë së Sahatit rreth vitit 1676, nga Ebu Bekri, kurse xhaxhai i tij, Ismaili ka bërë rindërtimin e kësaj xhamie por edhe kullës së Sahatit. Edhe pse llogaritet si monument histori që daton nga viti 1676, ky institucion me plotë kuptimin e fjalës, asnjëherë nuk i ka mbyllur dyert e veta. Kjo medrese asaj kohe por edhe tani, vazhdon të luaj një rol të rëndësishëm në edukimin e popullatës Islame. Kjo medrese merret edhe si shkolla e parë në qytetin e Gostivarit, gjithashtu ka funksionuar edhe si qendër administrative. Pas prishjes së xhamisë në qendër të qytetit 1952, këshilli administrativ dhe lokalet e myftinisë së bashkësisë fetare islame të Gostivarit transferohen në objektin e medresesë. Medreseja në vitet e para ka funksionuar si mektep, e cila në shkallën e arsimit fetar islam i korrespondon arsimit fillor, që në atë kohë kanë mësuar vetëm gjinia mashkullore, mësimi është ligjëruar nga hoxhallarët që kanë qenë të autorizuar dhe për ligjërimin e lëndëve të tjera.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.