Zejnulla VESELI
Shkup, 30 nëntor – Me Propozim buxhetin për vitin 2018, për të cilin po debatohet në Komisionin për financa dhe buxhet, përveç që parashihen huazime nga institucionet e jashtme financiare për mbulimin e deficitit buxhetor i paraparë të jetë 22.7 miliardë euro apo mbi 300 milionë euro, Maqedonia duhet të merr të gjitha masat për të siguruar mjete financiare për kthimin e borxheve të jashtme dhe të brendshme të huazuara nga Qeveria e mëparshme, shkruan gazeta KOHA.
“Përveç që vitin e ardhshëm nevojiten para për të mbuluar deficitin buxhetor, nevojiten dhe para për të paguar borxhet e huazuara nga institucionet ndërkombëtare financiare dhe kreditë e huazuara nga bankat vendore për vitin 2018, që kapin vlerën prej 40.9 miliardë denarë. Këto mjete do të sigurohen përmes huazimeve të reja nga institucionet financiare të huaja dhe në tregun vendor përmes letrave më vlerë”, deklaroi ministri i Financave, Dragan Tevdovski, gjatë prezantimit të buxhetit për vitin e ardhshëm para anëtarëve të Komisioni për financa dhe buxhet. Sipas ministrit Tevdovski, borxhi shtetëror i Republikës së Maqedonisë, deri më 30 shtator të vitit 2017, është 3.9 miliardë euro, gjegjësisht 37.8 për qind nga Bruto Prodhimi Vendor (BPV), ndërsa borxhi publik është 4.7 miliardë euro apo 45.8 për qind nga BPV-ja. “Huazimet nga institucionet e jashtme financiare, do të realizohen përmes emetimit të euroobligacionit apo marrjes së kredive nga bankat e jashtme me kamata të volitshme dhe linjave kreditore të dedikuara për financimin e një pjesë të projekteve. Gjithashtu, me huazimet në tregun bankar vendor përmes letrave me vlerë, do të sigurohen mjete shtesë me kushte të ulëta të kamatave”, deklaroi Tevdovski. Pra gjatë vitit të ardhshëm Tevdovski u shpreh se neto huazimet planifikohen te jenë 29.9 miliardë denarë. “Me huazimet në vlerë prej 29.9 miliardë denarë gjatë vitit të ardhshëm, 18.2 miliardë denarë do të shkojnë për mbulimin e deficitit buxhetor, ndërsa pjesa tjetër e mbetur prej 11.6 miliardë denarë do të ruhen si depozite. Është me rëndësi të dihet se në vitin 2020 dhe 2021 Maqedonia duhet të kthejë borxh të jashtëm në vlerë prej 925 milionë euro për tre borxhet më të mëdha të huazuara nga Qeveria e mëparshme, siç janë euroobligacionet e dhënë në vlerë prej 270 milionë euro në vitin 2015, euroobligacioni në vlerë prej 500 milionë euro i lëshuar në vitin 2014 dhe këstin e dytë të huas në vlerë prej 155 milionë euro nga PBG, e realizuar në vitin 2013 si dhe borxheve tjera të huazuara në tregun bankar vendor“, tha Dragan Tevdovski, ministër i Financave gjatë prezantimit të Projekt buxhetit për vitin 2018 para anëtarëve të Komisionit për financa dhe buxhet pranë Parlamentit të Maqedonisë. (koha.mk)