Tre ditë pasi uji në Tetovë mbante aromë të keqe dhe shije të rëndë, më në fund është pastruar dhe është kthyer në gjendje normale. Edhe rezultatet e përbërjes microbakterologjike, sipas Institutit të Shëndetit Publik, tregojnë se uji është i sigurtë për t’u përdorur. Doktor Ratko Davidovski nga ky institut është shprehur se shija dhe aroma e rëndë e ujit janë zhdukur, por se ekziston mundësia që kjo gjë të përsëritet, nëse nuk merren masat e filtrimit dhe pastrimit të ujit.
Rezultatet e sotme të datës tetë kur edhe u bë alarmi nga qytetarët për aromën dhe shijen e ujit, tregojnë se uji është i sigurt dhe mund të pihet. Edhe analizat mikrobiologjike edhe ato fizike tregojnë se nuk ka lëvizje nga vlerat e duhura dhe gjithçka është në kuadër të rregullores. Me reshjet e radhës kjo mund të na përsëritet, për këtë edhe janë rekomandimet tona të filtrohen këto dy elemente organoleptike që nuk ndikojnë negativisht në shëndet. Rekomandimi jonë është që të bëhet ose ozonimi ose karboni aktiv, edhe pse ekzistojnë edhe metoda të tjera por për këtë duhet të deklarohen profesionistët e lëmisë”- u shpreh Ratko Davidovski nga ISHP.
Të pyetur në Ndërmarrjen Publike Tetova se kur do të vihen këto filtra, drejtori i ndërmarrjes Xhelal Ceka deklaroi se tanimë punët kanë filluar pas marrjes së rekomandimeve dhe brenda javës filtrat do të vendosen.
Prej sot në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik në Shkup, të gjitha problemet e filtrimit do të fillojmë t`i rregullojmë dhe shpresoj të mos të përsëritet kjo. Meqë nuk është ndonjë gjë e shtrenjtë javës që vjen të gjitha këto rekomandime të institutit do të realizohen”- theksoi Xhelal Ceka, drejtor i NPK Tetova.
Tre ditë më parë, banorë e disa lagjeve të Tetovës, alarmuan se uji mban aromë të rëndë medikamentesh dhe ka një shije jo të zakonshme, gjë që u ka shkaktuar shqetësim banorëve. Sipas ISHP-së, ky fenomen që ka ndodhur edhe vitin e shkuar, ka ardhur si pasojë e kalbjes së kullosave dhe gjetheve, të cilat kanë përfunduar në burimet e ujit.