Pas dramës familjare, humbjes së babait të tij, të cilit i qëndroi pranë deri në ditën e fundit të jetës, duke mos pranuar të angazhohej me ndonjë klub në merkaton e verës së këtij viti, ka ardhur lajmi i mirë për Naser Alijin. Mbrojtësi ynë i kombëtares ka vendosur t’i bashkohet Dinamo Bucureşti, skuadrës së mirënjohur rumune, ku shkëlqeu një tjetër shqiptar, Sulejman Demollari.
Për momentin, Dinamo Bucureşti është në një pozicion mjaft delikat në klasifikimin e “Liga I” të Rumanisë. Më konkretisht, ajo pozicionohet e 12-ta nga 14 skuadra gjithsej, sepse ka grumbulluar vetëm 8 pikë në 13 ndeshje të luajtura. Përforcimet janë shpresa e trajnerit Mircea Rednic për të dalë nga zona e ftohtë e mbijetesës.
I dalë nga FC Basel, Aliji do të vijë në Bukuresht si lojtar i lirë. Herën e fundit ai luajti për Virtus Entella. Aliji nuk ka angazhim me ndonjë skuadër që nga vera, kur i vdiq i ati dhe ai preferoi të qëndronte pranë familjes. Për ekipin kombëtar të Shqipërisë, ai ka luajtur 11 ndeshje. 400 mijë euro është vlera e tregut e Naser Alijit, sipas “transfermarkt”.