Tiranë, 13 shkurt – Ministri i Ripërtëritjes, Arben Ahmetaj deklaroi se pas tërmetit shkatërrues i cili e goditi Shqipërinë më 26 nëntor, ende në tenda janë të vendosur 10.023 persona, përderisa 12.000 marrin bonuse për qira nga qeveria.
“Në bazë të vlerësimit të hollësishëm, në Tiranë duhet të rikonstruohen 242 ndërsa të rrënohen 115 ndërtesa banesore. Gjithashtu 1.523 shtëpi individuale duhet të rrënohen, përderisa nga 79 shkolla 72 duhet rikonstruuar”, deklaroi Ahemtaj në mbledhje të Komitetit nacional për ripërtëritje.
Informoi se në ueb faqen e Komitetit mund të shihen të gjitha informatat lidhur me ripërtëritjen, për çdo donacion dhe aktivitet.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama dje u bëri thirrje qytetarëve të goditur nga tërmeti shkatërrues, të jenë të durueshëm dhe paralajmëroi fillim të shpejtë të ripërtëritjes së rrënojave dhe objekteve të dëmtuara.
Dha garancë se të gjitha mjetet e tubuara, deri në lekun e fundit, së shpejti do të përdoren në realizimin e projekteve për ripërtëritje, e cila filloi në Laç, Thumanë dhe Shijak.
Sipas raportit për vlerësim, dëmi material i shkaktuar nga tërmeti paraqet 985.074.906 euro. Në procesin e vlerësimit ishin përfshirë 90 ekspertë të vendit dhe të huaj, ndërsa u përfshinë mbi 50.000 objekte.
Në tërmetin shkatërrues me fuqi prej 6,4 ballëve jetën e humbën 51 persona, u lënduan 900 dhe u zhvendosën rreth 17.000 njerëz nga shtëpitë e dëmtuara. Gjithsej 202.291 njerëz janë goditur nga kjo fatkeqësi natyrore, në 11 njësi të vetëqeverisjes lokale.
Konferenca ndërkombëtare e donatorëve për ripërtëritje të Shqipërisë do të mbahet më 17 shkurt në Bruksel. (koha.mk)