Shkup, 28 korrik – Skuadra e Shkupit ka arritur të bëjë edhe një lëvizje në afatin kalimtar të verës, duke angazhuar së fundi edhe sulmuesin Alen Jasharovskin, i cili vjen nga radhët e skuadrës së Makedonija Gj.P. dhe me të cilin bardhekaltërit arritën marrëveshje 1-vjeçare. Padyshim se paraqitjet e mira në fanellën e ekipit nga lagja e Gjorçe Petrovi i kanë lënë përshtypje trajnerit Ardian Nuhiu, i cili ka vendosur që të planifikojë në shërbimet e sulmuesit shtatlartë Jasharovski. Sezonin e kaluar Aleni ishte në pozitën e tretë të golashënuesve të Ligës së Parë të Maqedonisë, duke shënuar plot 12 gola, po aq kishte edhe Ferhan Hasani i Shkëndijës, dhe duke qenë vetëm pas Nedelkoviqit nga Sileksi me 13 gola si dhe golashënuesit më të mirë Besart Ibraimit (20 gola). Gjithashtu Jasharovski ka shënuar edhe një gol në kuadër të ndeshjeve të Kupës së Maqedonisë.
“Jam i gëzuar dhe njëherit është nder për mua që do ti mbroj ngjyrat e një klubi siç është Shkupi, ekip ky me traditë të madhe. Njëkohësisht më bëhet qejfi që do të luajë para publikut më të mirë në vendin tonë siç janë ‘Shvercerat’. E falënderoj kryesinë dhe stafin e trajnerëve që më dhanë besimin, derisa e imja është që të shënojë sa më shumë gola. Me numrin më të madh të futbollistëve njihemi gjatë kohë dhe nuk do të më duhet kohë që të adaptohem. Thjesht në fund shpresoj që do të arrijmë aspiratat e klubit në fund të kampionatit”, ka thënë Jasharovski pas prezantimit të tij me falenellën e FC Shkupi.
Ndryshe, Jasharovski përveç që ka luajtur me Makedonija Gj.P, ishte pjesë edhe e ekipit të Rabotniçkit, Euromilkut dhe “Skopjes”. Kujtojmë, deri më tani Shkupi në radhët e veta ka angazhuar katër futbollistë të rinj, Shqiprim Taipi dhe Shpend Asani nga Shkëndija e Tetovës dhe Kristijan Stojkoski nga Makedonija Gj.P.