“Me këtë rast, projekti është si vijon, ura me dimensione 8m gjatësi dhe 5m gjerësi dhe nga gjysëm metër trotuar në të dyja anët, projekt ky që sapo ka nisur dhe shpresojmë të përfundojmë në një afat sa më të shpejtë kohorë varësisht nga kushtet atmosferike, do të kushtojë gjithsej 100.000 mijë euro”, tha Nuredini
Urim HASIPI
Tetovë, 31 tetor – Më në fund ka filluar rregullimi i urës mbi fshatin Shipkovicë për në Brodec. Punët e para që janë duke u zhvilluar është hapja e një rruge alternative që të mos pengojë lëvizjen e lirë të banorëve të fshatrave Bozovë, Veshallë dhe Bordec për në Tetovë dhe anasjelltas, sepse kjo është rrugë e vetme, shkruan KOHA në numrin e sotëm të gazetës.
“Për momentin, është duke u bërë gërmimi dhe rregullimi i një rruge alternative që mos të ndërpritet lëvizja e qytetarëve në atë pjesë të Malësisë, ku po punohet në rregullimin dhe ndërtimin e urës në mes të fshatit Shipkovicë dhe Brodec që do të normalizojë në masë të madhe komunikacionin në drejtim të këtyre fshatrave pas vështirësive të mëdha që kanë hasur për shkak se pas çdo reshje të shiut është bllokuar gjithmonë rruga”, tha Arsim Nuredini, shef i Sektorit për veprimtari komunale, mbrojtje të ambientit dhe natyrës.
Në një pjesë ku edhe kalon një përrua, reshjet sjellin me vete më shumë rërë dhe në këtë pjesë gjithmonë bllokohet dhe është e pakalueshme. E pikërisht kjo është rrugë e vetme që lidh fshatrat Brodec, Veshallë dhe Bozovcë me Tetovë. Tashmë ka një vit që e njëjta është asfaltuar, megjithatë sërish bllokohet sidomos në muajt e pranverës dhe vjeshtës. Nuredini më tej ka dhënë sqarime edhe për ndërtimin e urës të shumëpremtuar në këtë pjesë të Malësisë së Sharrit, ku gjithmonë rruga bllokohet gjatë reshjeve.
“Me këtë rast, projekti është si vijon, ura me dimensione 8m gjatësi dhe 5m gjerësi dhe nga gjysëm metër trotuar në të dyja anët, projekt ky që sapo ka nisur dhe shpresojmë të përfundojmë në një afat sa më të shpejtë kohorë varësisht nga kushtet atmosferike, do të kushtojë gjithsej 100.000 mijë euro”, tha Nuredini. Kohë më parë u paralajmërua ndërtimi i urës në këtë vend nga ana e Komunës së Tetovës dhe Byrosë Rajonale për Zhvillim.
“U aprovuan mjetet financiare në vlerë prej 3.5 milionë denarë për ndërtimin e urës Shipkovicë-Brodec. Siç e keni të njohur të gjithë, ne e kemi ndërtuar atë rrugë, po ashtu kemi vazhduar edhe me projektimin e urës, sepse vlerësoj se ka nevojë për qytetarët e asaj pjese. Vlera e përgjithshme e projektit kapë vlerën 7.5 milonë denarë. Byroja për Zhvillim na përkraha me 3.5 milionë denarë, kurse katër milionët e mbetur tashmë vetëm janë të alokuar në buxhetin e Komunës së Tetovës”, tha Arifi. Ndërkohë, nga dhe Byroja Rajonale për Zhvillim në atë kohë nënvizuan se me rëndësi është se kjo urë të financohet për arsye të komunikimit të dy fshatrave. Ndonëse në përmasa më të vogla, megjithatë ky vend është potencial që të ndodhë edhe ndonjë tragjedi më e madhe, sepse vërshimet në atë zonë janë të mëdha dhe të paparashikueshme.
Bllokimet nga prurjet e mëdha deri më tash nuk kanë shkaktuar dëme materiale apo pasoja në njerëz. Përndryshe, më 29 gusht të vitit 2016 u shkatërruan disa shkëmbinj në këtë pjesë të rrugës, por edhe kjo rezultoi pa sukses sepse menjëherë më pas nga vërshimet, e njëjta rrugë u bllokua disa herë, kurse banorët vazhdojnë që të kërkojnë zgjidhje afatgjate për këtë problem të tyre. (koha.mk)