Bujar KURTAJ
Shkup, 9 maj – Në hapësirat e Agjencisë për Rini dhe Sport dje qëndroi përfaqësuesja e Maqedonisë në karate, e cila në Kampionatin Evropian në Koxhaeli të Turqisë për senior bëri një sukses të madh, duke fituar një medalje të argjendtë Berat Jakupi dhe një të bronztë Jovana Georgieva dhe duke vërtetuar kështu kualitetin e saj në kontinentin e vjetër. Nga ARS, respektivisht nga drejtori i saj Marjan Spaseski konfirmuan se me këtë sukses u dëshmua se sporti i karatesë vitet e fundit është sporti me më trofe dhe më i suksesshëm individual në Maqedoni, pasi po arrin rezultate edhe në nivel evropian dhe atë botëror, derisa suksesi i fundit në Turqi, vërtetoi këtë.
I lumtur për këtë sukses u shpreh edhe Berat Jakupi. “Para se gjithash dua të falënderoi drejtorin e ARS për pritjen që na e bërën pas këtij suksesi të madh që e bëmë. Nga ana ime jam i kënaqur shumë, pasi u riktheva në rrugën e vjetër pas shumë pengesave që i pata në karrierën time, shumë lëndime, por u desh që pas gjithë kësaj të stërvitem më shumë. Në anën tjetër derisa unë po rikuperohesha nga lëndimet, kundërshtarët e mi ishin të stërvitur dhe për ti arritur unë ata, u desh që të ushtroj shumë më tepër. Falënderoj të gjithë që më ndihmuan të rikthehem në formën e vjetër dhe në sukseset e njëjta duke fillua nga Federata e Karatesë dhe kryetarin e saj, pastaj trajnerit tim kondicional Trajçe Bogdanovski, Zharko Arsovskin, Sashko Arsovskin dhe Emill Pavllov, me të cilët i bëmë përgatitjet e fundit si dhe seleksionuesin e përfaqësueses me të cilën për çdo luftë kemi zbatuar taktik të ndryshme. Shpresoj se ky është vetëm fillimi dhe një pikë deri në Lojërat Olimpike dhe shpresoj në kampionatet e ardhshme Evropiane dhe Botërore do të rruaj këtë nivel. Por, përsëris synimi im është pjesëmarrja ne LO me shprese se nga atje do të kthehem me ndonjë medalje, e pse jo edhe dashtë Zoti me medalje të arrit”, deklaroi Berat Jakupi, karateisti shqiptar nga Gostivari.
E lumtur gjithashtu me medaljen e bronztë ishte edhe Jovana Georgieva. “Jam shumë e kënaqur me atë që arrita ta bëj në këtë evropian, por para se gjithash nga vetja. Ky sukses erdh si rezultat i përgatitjeve të shumta që i kisha, shumë mund dhe përkrahje nga të gjithë anëtarët e Federatës. Falënderoj seleksionuesin, i cili dinte që në secilën luftë të zbatojë taktikë, të më ndihmojë të luftoj njëjtë si Sashko Arsovski , pastaj Zhar dhe Emillit për përgatitjet që i realizuam. Ky është fillimi dhe shpresoj se do të kem edhe suksese tjera.”, tha Georgieva.
Ndërkohë, pas këtij suksesi të madh dy reprezentuesit e Maqedonisë Jakupi dhe Georgieva do të marrin bursë nga ARS-ja e kategorisë botërore. Jakupi për medaljen e argjendtë dhe Georgieva, në katër vitet e ardhshme do të marrin pagë prej dy rrogave mesatare në Maqedonisë, respektivisht më shumë se 700 euro, ndërsa për Sara Radiçevska, e cila fitoi pozitën e tetë, do ti takojë bursë të kategorisë ndërkombëtare, respektivisht në dy vitet e ardhshme ajo do të merr pagë prej një rroge mesatare.