Do të ngjitet në ring për të unifikuar titujt kampionë bote në peshat e rënda ndaj Josef Parker, por britaniku Entoni Xhoshua mendon se këtë përballje e ka të fituar dhe ka prenotuar që tani për sfidën e radhës kampionin tjetër të botës në këtë kategori, amerikanin Deontaj Vilder. Në prag të duelit që do të zhvillojë ndaj Parker, kampioni britanik tha: “Jam 100 për qind i bindur se do ta fitoj atë sfidë dhe të shtunën në mbrëmje do të festojmë të gjithë së bashku”, tha Xhoshua. Më tej ai ka konfirmuar se rivali i radhës do të jetë Deontaj Vilder. “Nuk ka asnjë dyshim që ajo përballje me Vilder do të ndodhë, kjo gjë është në mendjen time. Dhe ju garantoj se do ta mposht edhe Vilder, ashtu si do të mund edhe Parker. Qëllimi im do të jetë të unifikoj të gjithë titujt kampionë bote në peshat e rënda. Por për këtë gjë do të mendojmë nga dita e diel”, deklaroi për mediat kampioni britanik i peshave të rënda, 20 fitore dhe asnjë humbje në karrierë.