Strasburg, 18 prill Pas vizitës së përfaqësueses së lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri Federika Mogerini dhe eurokomisarit për Zgjerim Johanes Han, për vizitë në Maqedoni vjen edhe kryetari i Këshillit Evropian Donald Tusk.
Tusk, do ta vizitojë Maqedoninë në suaza të turneut në vendet e Ballkanit Perëndimor. Nga data 24 e deri më 28 prill do t’i vizitojë edhe Shqipërinë, Kosovën, Bosnjë e Hercegovinën, Serbinë dhe Malin e Zi në kontekst të përgatitjeve për Samitin BE-Ballkani Perëndimor, që do të mbahet më 17 maj në Sofje.
“Mesazhi deri te miqtë tanë është i qartë: Bashkimi Evropian është dhe do të vazhdojë të jetë partner më i besueshëm në të gjithë rajonin. Si investues më i madh, donator më i madh, treg më i madh dhe premtim më i mirë për një ardhmëri më të mirë të qytetarëve. Samiti ynë do të duhej të jetë konfirmim për perspektivën evropiane të rajonit. Dhe që është më me rëndësi, do të duhej të përmirësohen, në mënyrë konkrete, lidhjet brenda rajonit”, theksoi Tusk në fjalimin e sotëm para Parlamentit Evropian, kushtuar Ballkanit Perëndimor.