Një pjesë e madhe e grave nga Komuna Dibër, Qendër Zhupë dhe Mavrovë Rostushë shkojnë tek gjinekologu vetëm kur kanë probleme shëndetësore. Të dhënat e institucioneve kompetente thonë se mbi 1500 gra nga të tre komunat nuk kanë gjinekolog amë
Vjollca SADIKU
Dibër, 21 janar – Interesimi i grave që jetojnë në Komunën Dibër dhe komunat për rreth për të realizuar kontrolle të rregullta tek gjinekologu është i ulët. Këtë vlerësim e japin gjinekologët dibran, të cilët theksojnë se pas lindjeve – një pjesë e madhe e grave nuk realizojnë kontrollet e rregullta, të cilat kryen në interes të shëndetit të tyre. Kjo do të thotë se këta gra nuk kanë as gjinekolog amë dhe faktikisht paraqesin problem në trajtimin të tyre me institucionet shëndetësore. Gjinekologu dibran, Argëtim Fida, thotë për gazetën KOHA se problemi në fjalë zvarritet vite me radhë. Sipas tij, një pjesë e madhe e grave nga Komuna Dibër, Qendër Zhupë dhe Mavrovë Rostushë shkojnë tek gjinekologu vetëm kur kanë probleme shëndetësore. Të dhënat e institucioneve kompetente thonë se mbi 1500 gra nga të tre komunat nuk kanë gjinekolog amë. Në një situatë të këtillë, edhe aktivitetet preventive për mbrojtjen e shëndetit të gruas nuk kanë mundësi të realizohen. Sipas Fidës, me regjistrimin e fundit të popullatës, 51 për qind janë gra – që do të thotë se jozyrtarisht, numri i grave që nuk realizojnë kontrolle të rregullta dhe s’kanë mjek amë gjinekologjik është shumë më i madh.
Në Dibër veprojnë tri ordinanca gjinekologjike. Për këtë situatë që është prezent, gjinekologët thonë se duhet institucionet kompetente e sidomos Fondi për Shëndetësi të apelojë grave që nuk kanë gjinekolog të evidentohen në ordinanca. Gratë e paevidentuara faktikisht janë jashtë kontrollit. Fida shton se këta gra që nuk janë të evidentuara tek asnjë gjinekolog amë, nuk realizojnë pos-kontrolle, por as edhe pap-testin që është një projekt qeveritar dhe i cili realizohet sipas moshës së grave falas, me çka sipas tij, me pap-test shumë gra kanë mundur shumë sëmundje, pasi janë mjekuar në fazë të hershme. Gjinekologia Naime Turkeshi thekson se kontrollet e rregullta gjinekologjike patjetër duhet ti realizojnë edhe gratë të cilat kanë përfunduar me lindjet. Ajo shton se bëhet fjalë për një aktivitet preventiv që duhet ta realizojnë të gjitha gratë, pa marrë parasysh moshën e tyre. Është ky një problem i madh shëndetësor që ordinancat së bashku me institucionet e tjera shëndetësore duhet ta tejkalojnë.
Qëndron vlerësimi se përgjegjësia kryesore është tek vet gratë. Mos interesimi për kontrolle preventive është një traditë e së kaluarës. Për fat të keq, tek disa gra sidomos nga vendbanimet rurale – akoma është e pranishme “turpi i të vizituar gjinekologun”. Ndodh shpeshherë që kjo kategori e grave, edhe pse janë të reja, kur kanë nevojë për gjinekolog, shkojnë së bashku me vjehrrën apo kunatën. Në një situatë të këtillë, respektivisht mos realizimit të kontrolleve preventive, më vonë shkaktohen sëmundje të ndryshme, thonë gjinekologët. Deri tani ka patur raste kur janë zbuluar sëmundjet e kancerit të mitrës, tumoret e ndryshme, cistet, infeksione e tjera, por në fazë të rëndë. Nëse realizohen kontrolle të rregullta, atëherë sëmundjet zbulohen në fazat fillestare të cilat garantojnë edhe shërim. (koha.mk)