Zëdhënësja e Bashkimit e Europian, Maja Kocijancic i është përgjigjur kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, për kritikat ndaj Përfaqësueses së Lartë, Frederica Mogherinit.
Siç raportojnë mediat serbe, Kocijancic i ka kujtuar kryemintrit Haradinaj, se dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës është në nicvel presidentësh dhe se roli i Mogherinit është të ndërmjetësojë në dialog, përcjell gazetametro.net.
Ajo vuri në dukje se BE pret që Serbia dhe Kosova duhet të përmbushin më shpejt detyrimet e tyre në kuadër të dialogut.
Haradinaj ka thënë dje gjatë ditës, se mendon që pikërisht Mogherini e ka mbytur dialogun, duke e kthyer atë në një diskutim për territore.
“Mendoj se zonja Mogherini e ka mbyt dialogun. Pra e ka mbyt, e ka ç’rregullu. Nga një dialog për normalizim, e ka kthyer në dialogu për territore e për kufij e për shkëmbime që në Ballkan dihet çka nënkupton – destabilizim”, ka thënë dje Haradinaj.
Ndërkohë, presidenti serb Aleksandar Vucic, i doli në ‘mbrojtje’ sot Mogherinit, duke thënë se ajo nuk është fajtore për situatën aktuale, por thotë se për këtë gjendje të dialogut duhet të fajësohen Prishtina dhe Beogradi.
“Unë nuk mendoj se Mogherini ndjen më shumë simpati për Beogradin apo Serbinë. BE është këtu vetëm për të ofruar shërbimet e saj të mira. Kemi qenë dhe jemi nganjëherë nën presionin e gjithçkaje -, por s’duhet ta kundërshtojmë. Në fund gjithçka varet nga Beogradi dhe Prishtina.
Ne nuk kemi një marrëdhënie të tillë personale me Mogerinin, skuadrën dhe punën e saj. Ju faleminderit që keni kaluar kohë dhe i keni kushtuar rëndësi bisedave tona, “ ka thënë Vucic.