Pas katër ditësh në spital, Janeva sot duhet të kthehet në paraburgim

Shkup, 14 tetor – Ish-Prokurorja Publike Speciale, Katica Janeva pas katër ditësh mjekim spitalor në klinikën “Zhan Mitrev” sot duhet të kthehet në paraburgim në burgun hetues “Shkup”.

Avokatja Irena Fërçkovska, tha se presin Janeva sot të lëshohet nga mjekimi spitalor, kur do të kenë edhe më shumë detaje për gjendjen shëndetësore.

“Me siguri do të lëshohet sot në mesditë dhe atëherë do të kem më shumë detaje”, deklaroi Fërçkovska.

Për shkak të tensionit të lartë dhe anksiozitetit të përgjithshëm Janeva javën e kaluar u transferua në klinikën “Zhan Mitrev” për kontroll kardiologjik internist.

Fërçkoska, më 10 tetor, tha se Janeva është mbajtur në klinikën “Zhan Mitrev” për ndjekje të mëtejme, si paciente me dyshimin për gjendje para infarktit.

Paraprakisht, mbrojtja e Janevës kërkoi paraburgimi t’i zëvendësohet me arrest shtëpie, por Gjykata e refuzoi këtë kërkesë.

Janeva është e akuzuar në aferën “Reket” dhe është duke e vuajtur masën e paraburgimit në burgun hetues “Shkup”.