Shkup, 7 mars – Futbollistët e Shkëndijës pas fitores me Pobedën në kampionat, vëmendjen e kanë rikthyer kah sfida e radhës, ndeshjen kthyese të çerekfinales së Kupës së Maqedonisë kundër Vardarit, e cila zhvillohet sot (e mërkurë) me fillim në ora 14.00.
Katërmbëdhjetë pikët epërsi para vendit të dytë në kampionat janë arsye shtesë për atmosferën e shkëlqyeshme në skuadër, ndërsa tani gjithë vëmendja është drejtuar për të materializuar barazimin 1:1 në takimin e parë çerekfinale në Shkup. Gjithë futbollistët tregojnë dëshirë të madhe për punë dhe me përqendrim maksimal kërkojnë të jenë në nivel të detyrës në drejtim të realizimit të objektivit, pa lejuar në përformancën e ekipit të ndikojnë “lojërat” anësore të kundërshtarëve.
Sulmuesi dhe autori i golit të parë për kuqezinjtë në sfidën ndaj Pobedës, Marjan Radeski thotë se janë të përqendruar maksimalisht për të dhënë më të mirën që do të sjell rezultatin e duhur. Ai gjithashtu pret mbështetje nga tribuna.
“Na pret përballje e rëndësishme në kuadër të Kupës, garë të cilën gjithashtu pretendojmë ta mbyllim me trofe. Por për të vazhduar më tej na pret detyrë e vështirë përballë një rivali të fortë. Ne jemi duke zhvilluar sezon shumë pozitiv, kemi ngritur performancat në një nivel mbi rivalët dhe tani na duhet vazhdimësi në këtë fazë vendimtare. Në këtë ndeshje nuk kemi hapësirë për gabim, prandaj jemi të përqendruar maksimalisht për të dhënë më të mirën që do të sjellë rezultatin e duhur. Nuk na defokusojnë gjithë ndodhitë që mundohen rivalët t’i imponojnë përmes mënyrave të ndryshme, pasi ne dimë çka duam dhe jemi të koncentruar qëllimet t’i arrijmë me punë në terren. Pres mbështetje të madhe nga publiku, që në kështu ndeshje ka vlerë të madhe, ndërsa ne në terren do të japim 100 për qind nga mundësitë tona për t’ua kthyer me fitore dhe kualifikim në gjysmëfinale të Kupës”, deklaroi për gazetën KOHA, Marjan Radeski.