Prodhimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike në Shqipëri tashmë përbën problem edhe për vendet fqinje. Të njëjtin problem si Italia, që është në gjendje të vështirë për të ndalur tonelatat me drogë që po pushtojë brigjet e saj, po has edhe Greqia. Ka qenë kreu i Departamentit të Antidrogës në Prokurorinë e Atikës, Kostas Panagiotopoulos i cili u ra këmbanave të alarmit. Ai u shpreh për agjensin e lajmeve AMNA se: “Më shumë se sa vend prodhues, Greqia është një pikë tranziti për substancat që shkojnë drejt vendeve të Bashkimit Evropian apo që edhe vijnë nga Shqipëria,”
E ndërsa pyetjes se nëse kanabisi është e vetmja lloj droge që tregton Shqipëria, Panagiotopoulos përgjigjet se ky vend është gjithashtu pikë grumbullimi për heroinën, e cila transportohet nga grupet kriminale shqiptare në destinacione të ndryshme, përfshirë Greqinë. “Pjesa më e madhe kanabisit të prodhuar në Evropë vjen nga Shqipëria, përmes vendeve të saj kufitare, Greqia e Italia. Kreu i Departamentit të Antidrogës në Prokurorinë e Atikës nuk e lë jashtë Shqipërinë as në tregtinë e kokainës. Ai thotë se një laborator i madh për përpunimin e saj u zbulua në vitin 2015 në Elbasan. “Kur bëhet fjalë për kokainën, përfshirja e shqiptarëve është në rritje të vazhdueshme. Shqipëria është bërë një pikë kyçe e shpërndarjes së kokainës së destinuar për në tregjet evropiane dhe shërben si një vend grumbullimi, veç rolit të saj në trafikun e heroinës”, deklaron ai.