Shaip Kamberi, në njëfarë dore, ishte udhëheqës shpirtëror i Lëvizjes Kombëtare në Tetovë, një personalitet i shquar me prejardhje nga fshati malor Gajre i Tetovës, i cili e kishte të kryer drejtësinë në Beograd dhe me shokët e vet Kadri Saliu, Jusuf Kuliku, Tafil Boletini, Gajur Deralla e shumë veprimtarë të tjerë, ishin në ballë të veprimtarisë për një hapësirë etnike shqiptare…
Nga Ismail ARSLLANI
Një korrespondencë elektronike nga Kenosha e Wisconsinit të SHBA-së, pranë Miçigenit, liqenit më të madh në botë, që arriti këtyre ditëve nga mërgimtari ynë tetovar, Mahmut Sylejmani, një normalist i diplomuar, të cilin dallgët e jetës shumë vite më parë e kishin hedhur në kontinentin tej oqeanik të premtimeve të mëdha, të cilin e pati si qerthull për qetësim të shpirtit të trazuar, të ikur nga një sistem dreqi në vendlindje; më bënte të ditur se Shaip Kamberin e kishte dajë, këtë njeri prej juristi të parë dhe kryebashkiaku në Tetovë, në kohën e Shqipërisë etnike, i cili për ideale flijoi jetën në altarin e atdhetarisë, i tradhtuar nga shokë dhe i arrestuar nga partizanët.
VIZITA E FUNDIT NË BURG DHE UNAZA E KTHYER
Shaip Kamberi paraprakisht ishte arrestuar nga partizanët në Tetovë dhe ishte hedhur në vetmi, në njërin nga burgjet famëkeqe të Tetovës. Bashkëshortja e tij, një vajzë e ish-atasheut në Armatën e Mbretërisë së Shqipërisë, sipas fjalëve të Mahmut Sylejmanit, që i ka dëgjuar nga Hyreme Dindar, vajzë e tezes që ende jeton në Ankara të Turqisë dhe kujton rrëfimet e nënës së saj, Hysnije; kishte shkuar disa herë për vizitë te Shaip Kamberi në burg. Në vizitën e fundit të bashkëshortes, Shaip Kamberi dukshëm i rraskapitur nga keqtrajtimet në burg, i kishte thënë të shoqes se kjo vizitë për të do të jetë e fundit. Ai fare mirë e kishte kuptuar se “sa është sahati” dhe nuk priste gjë tjetër përveçse dënimin me vdekje.
Në momentet kur bashkëshortja e tij kishte ngulitur sytë, nga habia për fjalët dëshpëruese të bashkëshortit, që përherë kishte vizion të qartë për jetën, vërejti tek ai një rrëqethje trupi para se ta nxirrte nga gishti unazën e martesës. Kishte kthyer unazën e lidhjes së tyre jetësore, duke bërë të ditur ndarjen nga jeta. “Mbaje këtë unazë, por jeta mund të jetë e vështirë për ty, atëherë mos ngurro dhe martohu me një tjetër”, – ishin fjalët e fundit të Shaip Kamberit para vdekjes.
Bashkëshortes sa nuk i kishte rënë pika. Takimi kishte kaluar në një atmosferë të zymtë dhe me lot të fshehur nga bashkëshortët. Kokë ulur e me ofshamë, në përcjellje të rojeve, kishte dalë në rrugë. Nuk kishin kaluar shumë ditë, kur bashkëshortja kishte marrë kumtin e zi për vdekjen e bashkëshortit, pas së cilës fshihej një mister i tmerrshëm, sepse nuk u gjet kurrë trupi i tij i pa jetë. Në mungesë të informatave u sajuan rrëfime të ndryshme monstruoze, aq sa përflitej se ishte shtyrë i gjallë nga partizanët në kanalin e ujit që çonte në turbinat e hidrocentralit të Tetovës, në bregun e majtë të lumit Shkumbin, kur në moment të fundit e kishte kapur krahësh edhe xhelatin e tij, për ta marrë bashkë në vdekje.
Pas vrasjes së Shaip Kamberit nga fundi i nëntorit 1944, në fillim të viteve të 50-ta, anëtarët e mbetur të familjes së tij të gjerë që jetonin në një shtëpi përballë burgut të tashëm të qytetit, në radhë të parë nëna e tij, vëllai Ilmiu, kushërira Hysnija dhe disa anëtarë të tjerë, me dëshpërim të thellë ishin shpërngulur nga vendlindja për në Ankara të Turqisë.
Pas disa vjetësh nga shpërngulja e familjes Kamberi në Turqi, bashkëshortja e Shaipit, e cila nuk ishte shpërngulur pas ngjarjeve të hidhura, nga mallëngjimi i madh kishte vendosur një ditë që të bëjë një vizitë te familja e burrit të ndjerë në Turqi. Pas arritjes atje, ajo ishte takuar në aeroportin e Ankarasë me kunatin, vëllanë e Shaip Kamberit, Ilmiun, i cili punonte si kuzhinier në aeroport. Ilmiu kur e kupton qëllimin e vizitës së bashkëshortes së vëllait të ndjerë, Shaipit, e bind atë që të mos e bëjë këtë vizitë në shtëpi, sepse nënën me moshë të thyer e kishte shumë të sëmurë dhe gjatë takimit, nga shqetësimi që do e shohë shoqen e të birit, mund t’i përkeqësohet gjendja e saj shëndetësore. Bashkëshortja e Shaip Kamberit, e dëshpëruar kthehet në Shqipëri dhe pas disa vitesh edhe martohet.
KUSH ISHTE SHAIP KAMBERI
Shaip Kamberi, në njëfarë dore, ishte udhëheqës shpirtëror i Lëvizjes Kombëtare në Tetovë, një personalitet i shquar me prejardhje nga fshati malor Gajre i Tetovës, i cili e kishte të kryer drejtësinë në Beograd dhe me shokët e vet Kadri Saliu, Jusuf Kuliku, Tafil Boletini, Gajur Deralla e shumë veprimtarë të tjerë, ishin në ballë të veprimtarisë për një hapësirë etnike shqiptare. Bashkësia e Vakëfeve në Shkup, si dhe doktor Xhafer Sulejmani, i cili një kohë ka qenë senator në Beograd dhe kryebashkiak i parë shqiptar në Bashkinë e Tetovës, i kishin ndihmuar në shkollimin e tij me ndarjen e bursës dhe mjeteve të tjera materiale.
Me themelimin e organizatës patriotike “Besa”, në fillim të vitit 1935 në Beograd, Shaip Kamberi si student zgjidhet sekretar i saj. Qysh në Beograd ka marrë ndihmë financiare nga Legata Shqiptare, për veprimtari propaganduese në drejtim të ngritjes së vetëdijes kombëtare. Ai gjatë kthimit nga Beogradi për në Tetovë, kishte marrë me vete një Abetare dhe një fjalor në gjuhën shqipe. Këto libra i kishte dorëzuar Idriz Cërcërit, të cilin e kishte bashkëpunëtor të ngushtë, për përhapjen e shkollës shqipe. Më vonë bëhet edhe deputet në Parlamentin shqiptar në Tiranë, duke ngritur në vazhdimësi autoritetin e vet në Tetovë e rrethinë dhe duke krijuar politikë autoktone, në bashkëpunim me patriotin Sherif Mina nga fshati Novosellë i Sharrit, me të cilin kanë qenë deputetë nga kjo zonë në Parlamentin shqiptar dhe delegatë në Kongresin e dytë të Lidhjes së Prizrenit, më 1944.
Në fillim të vitit 1944, në moshën 32 vjeç, Shaip Kamberi bëhet kryetar i Komunës së Tetovës, ku deri atëherë ishte dr. Xhafer Sulejmani. Gjatë mandatit kryetar i Tetovës, ishte dhe redaktor i gazetës ”Zani i Sharrit”.