Shkup, 26 mars – Pas gjashtë orëve e gjysmë sot pasdite në Gjykatën Penale përfundoi marrja në pyetje e biznesmenit Ivan Nikollov Saçevalliev si dëshmitar në lëndën “Ryshfeti”, në të cilin i akuzuar është kryeministri Zoran Zaev.
Seanca e ardhshme për “Ryshfetin” është caktuar për më 12 prill.
Saçevaliev, në seancën e sotme tha se incizimi nga masat për Hetim të Posaçëm (HP) që është shfaqur në televizion nuk ka qenë i plotë. Ai para gjykatës tha edhe se pasi e ka pasur pajisjen për incizim me vete, e ka detyruar Zaevin që ta thotë atë që është shfaqur në incizim.
Incizimi integral për “Ryshfet”-in, siç u paralajmërua, duhej të lëshohet në seancën e sotme, por gjykata vendosi që këtë të mos e bëjë pas vërejtjes nga PB se bëhet fjalë për masa për HP dhe për shkak të mbrojtjes së dëshmitarit.
Saçevaliev në fillim të seancës pohoi se kryeministri Zoran Zaev i ka kërkuar ryshfet për privatizim të tokës ndërtimore bujqësore. Por, më vonë tha edhe se nuk i ka dhënë asnjë euro familjes Zaev.
Në pyetjen e gjykatësit se sot para Gjykatës i ka ndryshuar dëshmitë lidhur me deklaratat që i ka dhënë para Prokurorisë Publike, si dhe për pohimet e avokatëve se tre herë ka dhënë deklaratë në prokurori, Saçevaliev u përgjigj se i kujtohet se ka nënshkruar dy procesverbale, ndërsa të tretin për herë të parë e ka parë.
Saçevaliev iu përgjigj edhe pyetjeve të Zaevit. I pyetur se nëse ka pasur hetime kundër tij në periudhën prej vitit 2008 deri në vitin 2013, ndërsa pas procedurës kundër Zaevit janë refuzuar, Saçevaliev tha se nuk ka kurrfarë lidhshmëri midis këtyre dy gjërave.
Saçevaliev sot paraprakisht para gjykatës tha se Zaev i ka kërkuar tre euro ryshfet për një metër katror – një për të, një për kishën dhe një për partinë, që është ndryshe nga ajo që ka qenë e shkruar në deklaratën në PP, se i janë kërkuar tre euro për ndërtim të kishës.
Nga PB e ofruan në kontroll dokumentin origjinal nga deklarata e Saçevalievit. Ai edhe një herë konfirmoi se nënshkrimet në katër faqet e deklaratës janë të tij, por që teksti është ndryshuar.
Në pyetjen e avokatit se si nga MPB ia kanë dhënë dhe instaluar pajisjen për incizim, Saçevaliev shpjegoi se i kanë kërkuar pallto, me ç’rast e kanë vendosur pajisjen për incizim.
Instruksione për incizimin i kanë dhënë dy pjesëtarë të MPB-së. Gjysmë ore para takimeve me Zaevin ata ia kanë dhënë palltot (dimërore dhe verore), me ç’rast sërish i kanë marrë. Pohon se palltot nuk janë tek ai por kanë mbetur në MPB. Saçeliev tha edhe se prokurori nuk ka qenë i pranishëm në çdo takim me inspektorët nga MPB, por konfirmoi se disa herë ka ardhur tek ai në prokurorinë në Shkup.
Gjatë një ardhjeje në MPB, madje, siç theksoi, rastësisht është takuar edhe me Mitko Çavkovin, i cili para inspektorëve e ka lavdëruar se është “Saçevaliev është punëtori më i madh në Strumicë”.
Zoran Zaev në rastin “Ryshfeti” është i akuzuar se si kryetar i komunës së Strumicës nga biznesmeni Saçevaliev ka kërkuar ryshfet prej rreth 160.000 euro për legalizim të tokës ndërtimore.