Pas fitores së Juventusit në tavolinë, De Laurentis do të shkojë deri në KAS

Presidenti Aurelio De Laurentis, është i vendosur për të mos e lënë me kaq në rast se Apeli lë në fuqi vendimin e Gjykatës Sportive dhe do ta vijojë betejën e tij në të gjitha instancat, në Kolegjin e Garancisë së Komitetit Olimpik Kombëtar Italian dhe nëse do të jetë e nevojshme do të mbërrijë deri në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit Sportiv në Lozanë (KAS)

16

Edhe pse pritej, humbja 0-3 në tavolinë e dekretuar nga Gjykata Sportive për Juventus-Napoli, nuk e ka dekurajuar klubin e kaltër, i cili ditën e verdiktit njoftoi se do ta apelonte vendimin që e konsideron të padrejtë. Shkalla e parë do të jetë Apeli në Gjykatën Sportive, institucion që kryesohet nga Piero Sanduli (i cili pak ditë më parë ishte shprehur se “klasifikimi nuk duhet shkruar nga Koronavirusi”), ku do të kërkohet që të nxirret në pah si autoriteti i Agjencisë Sanitare Lokale, ashtu edhe sjellja e mbajtur në vëzhgim e normave dhe ku duhet kuptuar, nëse Juventusi ka për qëllim që të konstituohet si pjesë.

Napoli ka pesë ditë kohë për ta dorëzuar kërkesën në Gjykatën Sportive të Apelit dhe do të duhen edhe pesë ditë të tjera për të vendosur datën e procesit. Kështu që vendimi pritet të zbardhet pas 2-3 javësh, ose brenda një muaji. Presidenti Aurelio De Laurentis, është i vendosur për të mos e lënë me kaq në rast se Apeli lë në fuqi vendimin e Gjykatës Sportive dhe do ta vijojë betejën e tij në të gjitha instancat, në Kolegjin e Garancisë së Komitetit Olimpik Kombëtar Italian dhe nëse do të jetë e nevojshme do të mbërrijë deri në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit Sportiv në Lozanë (KAS).

Pikërisht në këtë shkallë ka shpresa për një kthesë të vendimit: sipas Anxhelo Kaskelës, avokatit dhe ekspertit të së drejtës sportive kombëtare dhe ndërkombëtare, “e drejta e shëndetit mbizotëron mbi gjithçka. Dilema është kjo: do të mbizotërojë legjislacioni kombëtar mbi atë sportiv apo jo? Jam i sigurt se avokati Grasani (i cili mbron Napolin) do t’i ketë idetë e qarta. Klubi ka hapësirë dhe të drejtë për të shprehur idetë e tij. Por unë nuk mendoj se mund të shkohet deri në KAS-in e Lozanës, që shqyrton çështje ndërkombëtare ndërsa këto duken të lidhura ekskluzivisht më të drejtën kombëtare”, tha Kaskela për “Il Mattino”.

Mes elementëve që klubi i Napolit ka për qëllim që të përdorë janë edhe e-mail-et e shkëmbyera me hotelin në Torino që do të mirëpriste skuadrën e Napolit. Sipas klubit, vullneti për ta luajtur ndeshjen kundër Juventusit faktohet edhe nga prezenca e autobusit të skuadrës në Torino.

 

Comments are closed.