Jose Mourinho hoqi medaljen e argjendtë që sapo i ishte vënë në gjoks nga presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin. Eci drejt tribunës dhe ia dorëzoi atë një tifozi të ri në rreshtin e parë.
“Unë mbaj vetëm medalje të arta”, tha Mourinho më vonë, ende i zemëruar pasi skuadra e tij, Roma, u mund nga Sevilla pas penalltive në finalen e Ligës së Evropës.
Pasi udhëhoqi ekipet drejt trofeut në pesë finale evropiane radhazi gjatë dy dekadave, kjo ishte humbja e parë e Mourinhos në këtë fazë. Trajneri 60-vjeçar nga Portugalia shpejtoi të fajësonte arbitrin që nuk akordoi një penallti për Romën gjatë pjesës së dytë, si dhe për një mori vendimesh të tjera që ai mendoi se arbitri anglez Anthony Taylor i mori.
“Arbitri dukej sikur ishte spanjoll”, tha Mourinho. “Rezultati nuk ishte i drejtë dhe ka shumë raste për të rishqyrtuar”.
Mourinho u pa gjithashtu duke fyer arbitrin Taylor në garazhin e stadiumit “Pushkash Arena” në Budapest, ndërsa ekipi i tij përgatitej të largohej nga stadiumi pas finales së zhvilluar të mërkurën mbrëma. Pasi mori edhe një karton të verdhë gjatë ndeshjes, Mourinho mund të goditet me një përjashtim me shumë ndeshje nga duelet e ardhshme evropiane nga UEFA. Por nëse ato ndeshje do të vijnë me Romën apo një klub tjetër, është një pyetje e hapur.
Mourinho ka edhe një edicion të mbetur në kontratën e tij trevjeçare me Romën, por ka qenë i paqartë në lidhje me planet.
“Të hënën do të shkoj në pushime dhe pushimet janë pushime. Por deri atëherë kemi kohë për t’u takuar dhe për të biseduar”, tha Mourinho. “Për momentin nuk mund të them se do të qëndroj. Por unë do të doja. Dua të qëndroj te Roma. Lojtarët e mi meritojnë më shumë dhe unë gjithashtu meritoj më shumë”.
Mourinho la të kuptohet gjithashtu se nuk ishte i kënaqur me heshtjen e pronarëve amerikanë të Romës, Dan dhe Ryan Friedkin, të cilët nuk kanë folur kurrë publikisht qëkur blenë klubin tre vjet më parë nga një pronar amerikan shumë më i zhurmshëm, James Pallotta.
“Jam pak i lodhur duke qenë trajner, duke qenë njeri i komunikimit, duke qenë fytyra që thotë, ‘Neve na grabitën’. Jam pak i lodhur nga e gjithë kjo”, tha Mourinho. “Por unë dua të qëndroj me kushte për të ofruar më shumë”.
Pasi e udhëhoqi Romën drejt titullit të Ligës së Konferencës në edicionin e tij të parë, Mourinho ka respekt të madh në kryeqytetin italian. Ka qenë një ringjallje karriere për portugezin, i cili është kritikuar për taktikat e tij defensive dhe prishjen e atmosferës në zhveshtore kur ishte në krye të Tottenhamit. Taktikat mbrojtëse të Mourinhos nuk e bëjnë atë kandidat aq tërheqës për punë në klubet më të mëdha të botës.
“Tani për tani nuk jam kontaktuar nga askush”, pranoi Mourinho.
Fitimi i finales në Ligën e Evropës ishte rruga e vetme që Romës i kishte mbetur për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve në edicionin e ardhshëm.
“Duket paradoksale, por është më mirë të mos luajmë në Champions edicionin e ardhshëm, sepse nuk jemi gati”, tha Mourinho.
Roma luan kundër Spezias, që kërcënohet për rënie, në raundin e fundit të Serie A të dielën. Është në vendin e gjashtë, një pikë prapa Atalantas dhe një pikë përpara Juventusit. Vendi i pestë siguron biletën për Ligën e Evropës, ndërsa vendi i gjashtë për Ligën e Konferencës.
Finalja, të cilën Sevilla e fitoi 4:1 me penallti, pasi ndeshja përfundoi 1:1, zgjati 146 minuta, duke përfshirë kohën shtesë.
“Ne humbëm, por me dinjitet”, insistoi portugezi.
Nëse qëndron, Mourinho ka të ngjarë të kërkojë një mori lojtarësh të rinj në afatin kalimtar të verës.
Ai e mori lojtarin e dëshiruar verën e shkuar kur Paulo Dybala u transferua si lojtar i lirë nga Juventusi. Pastaj Nemanja Matiq nga Manchester Unitedi dhe Georginio Wijnaldum nga Paris Saint-Germaini. Por Dybala dhe Wijnaldum luftuan me lëndime për pjesën më të madhe të edicionit.
Goli i Dybalas në pjesën e parë kundër Sevillas i dha Romës shpresën për një titull të dytë radhazi evropian. Më pas zëvendësimet e Sevillas kishin ndikim më të madh teksa ndeshja vazhdonte dhe në fund ekipi spanjoll triumfoi me penallti.
“Ju keni luajtur një ndeshje të shkëlqyer para Evropës”, i tha Mourinho skuadrës së tij. “Ne fitojmë dhe humbasim së bashku”.