“Pas derbit nuk flija dot gjumë, tani ndihem më i kompletuar”

Nga grumbullimi me Kombëtaren Argjentinase në Madrid, në prag të ndeshjeve miqësore me Venezuelën dhe Marokun, Lautaro Martinez është rikthye të flasë sërish për derbin e Milanos, sfidë ku shënoi një gol dhe asistoi një tjetër.

“Jam shumë i kënaqur pasi luajta derbin tim të parë dhe ia dola të shënoj e të jap një asist. Ishte diçka e jashtëzakonshme dhe nuk arrija të fle gjumë. Pas kësaj ndeshjeje ndihem shumë më i qetë dhe i kompletuar”, tha Lautaro.

Më pas sulmuesi i Interit foli edhe për marrëdhëniet e tij me Lionel Messin, yllin argjentinas të Barcelonës, që këtë herë vendosi të rikthehet sërish dhe të kontribuojë për përfaqësuesen e tij.

“Kemi folur dje, para se të fillonte stërvitja. Është shumë i kënaqur që është rikthyer dhe për ne është shumë e rëndësishme ta kemi në ekip, pasi po flasim për më të mirin e botës”, tha sulmuesi argjentinas.