Dikur simbol i forcës së socialistëve francezë, sot zyrat qendrore të Partisë Socialiste në qendër të Parisit janë nxjerrë në shitje pas debaklit në zgjedhjet e këtij viti në Francë. Kjo parti ka qenë e vendosur në Rue de Solferino në Arrondissement e shtatë elegant të kryeqytetit francez që prej vitit 1981, kur ish-lideri Francois Mitterrand ishte zgjedhur presidenti i parë socialist sipas kushtetutës aktuale. Pas plot 36 viteve, partia po lufton për mbijetesë pas debaklit në zgjedhjet presidenciale që u mbajtën në muajin maj, dhe pas një rezultati të turpshëm në zgjedhjet parlamentare në qershor. Vendimi për shitjen e zyrave qendrore u mor dje në mbrëmje nga drejtuesit e partisë, ndërsa mediat franceze raportojnë se objekti 3.000 metra katror mund të kushtojë nga 40 deri në 70 milionë euro.