Fatos RUSHITI
Shkup, 13 dhjetor – Pas mbarimit me debatin për Buxhetin për vitin 2018, dhe votimit të tij nga deputetët, në Parlament priten zhvillime dinamike sa i përket ngjarjeve politike dhe miratimit të një sërë ligjesh që prekin reformat në vend, shkruan gazeta KOHA. Diskutabile mbetet rikthimi i deputetëve të VMRO-së në seancat plenare edhe në komisione, meqë pas heqjes së imunitetit të gjashtë deputetëve të kësaj partie, VMRO ka paralajmëruar braktisjen e Parlamentit, por që endet nuk ka një qëndrim përfundimtar. Kjo më shumë lidhet me zhvillimet rreth dorëheqjes së liderit të VMRO-së, Nikolla Gruevski, ku të dielën pasdite përfundimisht lëshoi karrigen e të parit të VMRO-së. Ajo që do të merr vëmendjen e opinionit publik është kthimi debatit mbi Ligjin për gjuhët, për shkakun se BDI insiston të mbetet drafti i njëjtë bazuar në marrëveshjen politike me LSDM-në kur u arrit koalicioni qeveritar, ndërkaq kjo e fundit ka propozuar katër amendamente me të cilët kërkohet futja e gjuhëve të komuniteteve tjera në nenin 2 paragrafin 4 dhe uljen dënimeve për institucionet që refuzojnë të zbatojnë këtë ligj nga 4 deri në 5 mijë euro në 1 mijë deri në 2 mijë euro. Amendamente kanë propozuar edhe Lëvizja BESA që kanë të bëjnë me emërtimin e Ligjit, ku kërkojnë që të quhet “Ligji për gjuhë shqipe” jo siç është propozuar tani – “Ligji për gjuhët”. Ndërsa VMRO ka propozuar amendamente me theks tek heqja e gjuhës shqipe si gjuhë e dytë zyrtare, por kjo të zëvendësohet me përkthimin gjuhën shqipe të shkresave zyrtare në të gjitha organet e pushtetit qendror. Ligj tjetër që po ashtu do të tërheq vëmendjen e opinionit është edhe Ligji për dëshmitarët e mbrojtur, gjegjësisht lejimi Prokurorisë Speciale Publike të caktojë vetë dëshmitarët e mbrojtur pa dijeninë dhe lejen e Prokurorisë Publike. Pas votimit të Buxhetit, presidenti Gjorge Ivanov do të mbajë fjalim vjetor para deputetëve, ndërsa pritet po ashtu të votohet kryeprokurori publik shtetëror, dhe të votohet për emrat e rinj në dikasteret qeveritare, atë të Shëndetësisë, ministrit pa resor që mbulon investimet e huaja në vend, dhe postin e zëvendësministrit të Arsimit. Pas Vitit të Ri, paralelisht me bisedimet për zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë, do të vazhdojnë reformat në gjyqësor dhe në shërbimin inteligjent përmes ndryshimit të ligjeve që prekin punën e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim dhe të Agjencisë për Zbulim. Me theks të veçantë do të jetë e heqja e kompetencave të DSK-së për të përgjuar dhe kjo të kalohet tek vetë Prokuroria Publike, ndërsa DSK vetëm do të zbatojë vendimet e PP-së se kush duhet të përgjohet përmes ndjekjes së komunikimeve elektronike. Sfidë për Qeverinë re do të jetë edhe Regjistrimi i popullsisë dhe reformat për sistemin zgjedhor. Mbetet të shihet nëse në vitin 2018 për shkak të bisedimeve për emrin dhe anëtarësimit të mundshëm të Maqedonisë në NATO të shtyhet edhe më tej Regjistri i popullsisë. Siç dihet, Maqedonia është i vetmi vend në Evropë që për 15 vite nuk ka regjistruar popullsinë dhe ekonomitë familjare. Në lidhje me reformat në sistemin zgjedhor, LSDM si partia më madhe në pushtet tani – sa ishte në opozitë kërkonte që Maqedonia të jetë një Njësi zgjedhore e jo në gjashtë sa është që nga viti 2002. (koha.mk)