Pas vizitës në Beograd, përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak nesër do të vijë edhe në Prishtinë.
Raportohet se Lajçak do të takohet me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Kjo vizitë vjen në dritë të zhvillimeve të fundit ku palët dialoguese pranuan propozim-kompromisin për targat nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.
Javën e kaluar, Lajçak tha se gjatë vizitës së tij në Beograd dhe Prishtinë, do të diskutohet se si do të respektohet marrëveshja për targa, si dhe hapat e ardhshëm për normalizimin e marrëdhënieve sipas planit franko-gjerman.
Lajçak gjithashtu ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të jetë pjesë e planit franko-gjerman, derisa Serbia thotë që një herë ajo duhet të zbatohet për të kaluar në planin franko-gjerman.
Pas takimit me Vuçiqin sot në Beograd, ky i fundit tha se zbatimi i Asociacionit është i domosdoshëm.
“Me Miroslav Lajçak biseduam ngjarjet e fundit në Kosovë dhe problemet me të cilat ballafaqohet serbët për shkak të veprimeve të njëanshme dhe jolegjitime të Prishtinës. I theksova domosdoshmërinë e zbatimit të Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe respektimin e të drejtave të popullit tonë. Serbia është e përkushtuar për të vazhduar konstruktivisht dialogun, me qëllim të mirëmbajtjes së paqes dhe stabilitetit si dhe arritjen e kushteve më të mira për jetesën e të gjithë qytetarëve”, ka përfunduar Aleksandar Vuçiq.
Ditë më parë edhe zv.ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar, tha se “Asociacioni jo vetëm që duhet të bëhet, por edhe do të bëhet”, ndërsa ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, u shpreh se “Kryeministri Kurti e kupton që Asociacioni duhet të jetë prioritet absolut i tij”.
Në anën tjetër, amasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill tha se pa u zgjidhur Asociacioni s’ka marrëveshje tjera.
“Asociacioni është detyrë e vështirë për Kosovën, por falë punës së madhe të Bashkimit Evropian, Albin Kurti e ka kuptuar që çështja e të ardhmes së serbëve në Kosovë duhet të jetë prioritet absolut dhe duhet të zgjidhet në secilin proces normalizimi”, ka thënë ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill.