Shkodër, 15 gusht – Kryetari i ri i Shkodrës Valdrin Pjetri ka vendosur të dorëhiqet nga marrja e drejtimit të bashkisë.
Në një kohë kur Prokuroria e Përgjithshme pret përgjigje nga Italia dhe ka kërkuar shenjat e gishtave, i zgjedhuri i 30 qershorit nën logon e PS-së është shprehur se ka vendosur të dorëhiqet nga marrja e detyrës së bashkisë Shkodër.
Pjetri në njoftimin e tij flet për ngjarjen e ndodhur në Itali, ndërsa thotë se së fundmi është gjendur në mes të një stuhie mediatike, ku akuzat dhe thashethemet i zunë vendin faktet dhe të së vërtetës.
“I ndërgjegjshëm për rëndësinë e imazhit politik dhe i vendosur që këtë sqarim ligjor t’a ndërmarr në pozitat e qytetarit të thjeshtë, pa iu bërë barrë askujt, vendos të dorëhiqem nga marrja e detyrës së Kryetarit të Bashkisë Shkodër”, ka thënë ai.
Pjetri thotë se vëmendjen do t’ia kushtojë sqarimit ligjor të kësaj ngjarje të 17 viteve më parë, për të cilën thotë se ka qenë një ngjarje banale mes shokëve dhe se nuk ka pasur asnjë përgjegjësi ligjore në atë kohë.
“Një ngjarje krejt banale e ndodhur në mes të shokëve të mi bashkëstudent, në të cilën unë nuk kam asnjë faj e përgjegjësi e nuk i kisha kushtuar rëndësi, 17 vjet më parë në moshën 20 vjeçare, u nxor nga konteksti dhe rreth saj u ngritën akuza e linçime përtej çdo skrupulli moral e njerëzor. Nuk e kisha menduar kurrë që një ditë do të gjendesha përballë akuzave të tilla. Dhe sado i bindur të jem në pafajësinë ligjore dhe pastërtinë morale të personit tim, me keqardhje ju rrëfej se të tilla shpifje kanë shkaktuar dhimbje të mëdha te unë e familja ime dhe se unë kurrë nuk kam qenë pjesë e kësaj kategorie për të cilën sot akuzohem”, shton ai.
Dorëheqja vjen dy ditë pasi PD publikoi dokumentin e marrë nga sistemi i Kuesturës së Firences, sipas të cilit Valdrin Pjetri ishte dënuar për trafik droge me 18 muaj burg dhe 1 mijë euro gjobë.
Pak orë pas këtij denoncimi kryeministri Edi Rama tha se rrugët mes PS dhe Valdrin Pjetrit janë të ndara ndërsa PS pezulloi betimin e tij si kryetar i ri i bashkisë.