Shkup, 13 janar – Komunikatat zyrtare të Ministrisë për Punë të Brendshme, për herë të parë prej themelit të këtij institucioni të lartë në Republikën e Maqedonisë, kanë nisur të publikohen edhe në gjuhën shqipe, shkruan gazeta KOHA. Pavarësisht se zëvendësministri i këtij dikasteri vite me radhë ka qenë shqiptarë, kjo aspak nuk ka ndikuar që informimi i opinionit nga Sektori për komunikim me publikun të bëhet edhe në gjuhën shqipe. Ndryshimi i radhës në MPB vjen pasi ky organ shtetëror një javë e më tepër udhëhiqet nga ministri i ri, Agim Nuhiu. Promovimi i një bilbordi brenda institucionit të MPB-së ka qenë lajmi i cili në faqen elektronike të kësaj ministrie – është lëshuar dhe në gjuhën shqipe. “Ministri Agim Nuhiu dje me (12.01.2017) së bashku me punonjës policie – pjesëtarë nga bashkësitë etnike në vend, kanë promovuar bilbordet në gjuhët e bashkësive etnike që jetojnë në Maqedoni, duke kultivuar në vazhdimësi konceptin se Ministria e Punëve të Brendshme është shtëpia e përbashkët e të gjithëve. Me këtë rast ministri Nuhiu shprehu qëndrimin se MPB duhet të bëhet përditë e më shumë e të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare”, thuhet në njoftimin e MPB-së të publikuar sot. (koha.mk)