Brenda ciklit të arsimit nëntëvjeçar në lëndën e gjuhës dhe letërsisë, nxënësit duhet të lexojnë 46 lektura, prej të cilave 27 nga kategoria e lekturave të obligueshme dhe 19 nga kategoria e lekturave të zgjedhura
Delvina KËRLUKU
Shkup, 7 shkurt- Ministria e Arsimit dhe Shkencës u ka dhënë dritë të gjelbër listave të reja të lekturave në gjuhën maqedonase, shqipe, turke dhe serbe. Konkretisht, në datën 21 janar 2019, ministri Arbër Ademi firmosi listat e reja të lekturave shkollore për arsimin nëntëvjeçar, të propozuara nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit e të përgatitura paraprakisht nga një Komision i posaçëm i ekspertëve bazuar edhe në sugjerimet dhe vërejtjeve që kishin bërë shkollat gjatë anketimit paraprak, shkruan gazeta KOHA.
Me këtë, pas shumë vitesh pritet zgjidhet problemi i mungesës së listave me lekturat për zhvillimin e lëndës së gjuhës dhe letërsisë për nxënësit nga klasa II deri IX e që mësimin e ndjekin në gjuhën maqedonase, shqipe, turke dhe serbe.
Në listat tanimë të miratuara nga MASH-i, gjenden dy kategori lekturash: lekturat që duhet të lexohen detyrimisht nga nxënësit (të punohen bashkë me mësimdhënësit gjatë një viti të caktuar shkollor) dhe lekturat të cilat do të zgjidhen nga mësimdhënësit dhe nxënësit. Kështu, brenda ciklit të arsimit nëntëvjeçar në lëndën e gjuhës dhe letërsisë, nxënësit duhet të lexojnë 46 lektura, prej të cilave 27 nga kategoria e lekturave të obligueshme dhe 19 nga kategoria e lekturave të zgjedhura. Për lekturat me zgjedhje janë dhënë 62 tituj, prej të cilëve arsimtarët duhet të zgjedhin 19 lektura, pra ata të cilat do të vlerësojnë se duhet ti lexojnë nxënësit.
Listat janë gjithashtu të ndryshme për nxënësit varësisht gjuhës në të cilën e zhvillojnë mësimin, kjo për shkak të arritjes së qëllimeve specifike për realizimin e lëndëve të shënuara në programet mësimore të gjuhëve amtare (shqip, maqedonisht, turqisht dhe serbisht) si dhe konformë dallimeve dhe specifikave të letërsisë të zhvilluar në gjuhët përkatëse. Nuk janë anashkaluar as kryeveprat e letërsisë botërore.
Në listën e lekturave të gjuhës shqipe, raporton KOHA, krahas “Qengji i vogël” nga Bardhosh Gaçe, “Vallja e shkronjave” nga Memedali Hoxha, “Mbreti Xhuxh” nga Ferit Limaj, “Skënderbeu” nga Odise Grillor, “Princesha Argjiro” nga Ismail Kadare, “Tregime“ nga Xhabir Ahmeti, “Kalamajt e pallatit tim” nga Bedri Dedja dhe vepra të autorëve tjerë të njohur shqiptar, gjejmë edhe emra si Ana Frak me “Ditari”, Hans K. Anderson me “Rosaku i shëmtuar”, Astird Lingren me “Pipi Çorapegjata”, Gustav Shvab me “Mitet më të bukura nga antika”, Xhejm Metju Bari me “Piter Pan”, Mark Tuin me “Aventurat e Tom Stojerit”, Mark Hadon me “Ngjarje të çuditshme në mbrëmje” e të tjerë.
Sikurse dihet, listat e plota të lekturave shkollore ishin përpiluar dy dekada më parë (bazuar në Plan-programet e vitit 1998), kurse në vitin 2011 u bë një përpjekje për rregullimin e kësaj çështje përmes spastrimit të listave veç më të vjetruara nga tituj dhe autorë që i kishte shkelur koha. Megjithatë, spastrimi i listave nuk mjaftoi për zgjidhjen e plotë të problemit pasi listat e spastruara rezultuan të mangëta sa i takon prezencës në to të titujve dhe autorëve atraktivë nga letërsia e fëmijëve.
Kështu që, gjatë gjithë këtyre viteve, ndjehej jashtëzakonisht shumë nevoja për përpilimin e tërësishëm të listave të reja, sidomos nga ana e mësimdhënësve të gjuhës dhe letërsisë. Ata, ankoheshin për mungesën e lekturave të cilat do t’ju përgjigjeshin shijeve artistike të nxënësve dhe prurjet të reja të letërsisë së fëmijëve si në rafshin kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar. Tani, që ministri i Ademi ka firmosur listat e reja të lekturave BZHA do t’jua përcjellë të njëjtat të gjitha shkollave nëntëvjeçare në vend me atë që prej vitit shkollor 2019/2020 mësimdhënësit e gjuhës dhe letërsisë shqipe, maqedonase, turke dhe serbe do të mund të punojnë me lista tërësisht të reja, të cilat nuk ishin përpiluar të plota që në vitin 1998. (koha.mk)