Adem XHELADINI
Kërçovë, 23 prill – Nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit e Shkollës së mesme “Rilindja” të Zhitoshes së Pellagonisë, të shtunën kanë festuar ditën e shkollës. Tanimë, pas 15 vitesh mësimi në gjuhën shqipe që kur janë hapur atëbotë si paralele të ndara të gjimnazit të Kërçovës, sivjet ata pas tre vitesh pavarësimi kremtuan për herë të parë këtë ditë të shënuar, e cila padyshim se revolucionarizoi arsimimin e popullsisë shqiptare të kësaj ane, shkruan gazeta KOHA. Tanimë rreth 400 nxënësit e këtij tempulli të arsimimit të mesëm, e kishin pagëzuar të shtunën e 22 prillit si ditë të veçantë dhe siç thanë shumë nga folësit në skenë, ky është një kremtim historik. Pas intonimit të himnit kombëtar, Sevdet Ademi, drejtor i kësaj vatre të dijes, duke ecur nëpër të kaluarën e kësaj shkolle, theksoi se “kjo ditë rikujton ditën e 22 prillit të vitit 2003, kur u vu gurthemeli për ndërtimin e shkollës së mesme me mësim në gjuhën shqipe në këto anë. Prandaj, ky përvjetor do të mbetet i pavdekshëm dhe gjithnjë do të shënohet me dinjitet. Padyshim se për hapjen e paraleleve të para me mësim në gjuhën shqipe pranë kësaj shkolle kanë mësimdhënësit nga Kërçova, të cilët asokohe, që nga viti i largët 2002, ia mësynë për të ndihmuar ngritjen e këtij tempulli të shenjtë të dijes për këto vendbanime, për çka i falënderojmë për kontributin e tyre”, tha mes të tjerave, drejtori i SHMK ”Rilindja” të Zhitoshes së Dollnenit, Sevdet Ademi. Ndërkohë Nuri Ristemi, profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në këtë shkollë, i cili është duke punuar që nga dita e parë e hapjes së kësaj çerdheje të arsimimit të të rinjve të kësaj ane, në përshkrimin e rrugëtimit të rritës së kësaj shkolle theksoi se “ nisma, për arsimim të mesëm të gjeneratave të reja, në veçanti atyre shqiptare të këtyre vendbanimeve ka filluar qysh më herët. Kërkesa e parë zyrtare është bërë që nga viti 1994-95. Të gjithë iu qasën rrugës për arsim, ndërsa zgjidhja e problemit zgjati për disa vite me radhë dhe përpjekjet e prindërve nuk u ndalën. Më 1996, erdhi lajmi se semimaturantët shqiptarë duhet të nënshtrohen në provim pranues pranë gjimnazit në Krushevë, por asokohe kjo u pengua nga qarqet antishqiptare dhe dëshira e flaktë e prindërve për t’i parë fëmijët e tyre në shtegun e dijes u ngulfat. Ndjehem i emocionuar, si në vitin 2002, kur më 12 qershor u soll lajmi për pëlqimin që të hapen paralele me mësim në gjuhën shqipe të Zhitoshes, si paralele të disperzuara të gjimnazit “Drita” të Kërçovës. Kësisoj, më 1 shtator të vitit 2002, në objektin e SHF ”Liria” të Zhitoshes, filloi procesi edukativ arsimor për shkollën e mesme dhe atëbotë u regjistruan 87nxënësit e parë të kësaj ane, në dy paralele. Megjithatë, duhet të theksoj se kjo nuk do të arrihej pa profesorët dhe stafin udhëheqës të Gjimnazit “Drita” të Kërçovës. Ata, padyshim tek ne ngritën moralin dhe dëshirën për arsimim. Sot, pas 15vitesh, nga këto paralele, kemi nxjerrë edhe kuadro të mirëfillta të rrethinës sonë, të cilët janë bartës të shumë proceseve në fusha të ndryshme të shoqërisë”, tha në mes të tjerave i emocionuar profesori Nuri Ristemi, i cili krahas kolegëve të tij nga Kërçova, i ra për hise të mbajë barrën e hapjes së asokohshme të paraleleve në shqip.
Në cilësinë e mysafirit, fjala e përshëndetjes iu dha edhe drejtorit të SHMK ”Drita” të Kërçovës, Nebi Bilalli, i cili gjatë aktit të përshëndetjes, theksoi se “mirënjohjet janë jo vetëm për ne si udhëheqës të qendrës sonë arsimore, por ato padyshim në radhë të parë janë për punonjësit e gjimnazit “Drita”, të cilët për plot 12 vite, udhëtuan të mbajnë të ndezur dhe të shpërndajnë dritën e dijes në këto anë. Megjithatë, dëshmia për sakrificat për arsim në këto hapësira është më e moçme. Ajo daton që nga periudha e largët e viteve 40 të shekullit të kaluar, kur mësuesit e rilindësit arsimor për viset shqiptare, Ernest Koliqi, edhe në këtë anë vërshuan si nëpër të gjitha copëzat e tokave shqiptare dhe këtu nuk mund të mos përmendim edhe epokën e mësuesit Myfit Sinojmeri dhe shumë veteranëve të tjerë të arsimit, shumica e të cilëve nuk janë më mes nesh, por që kanë lënë gjurmët e tyre në tempujt e arsimit. Kur jemi te lidhja e banorëve të këtyre anëve me rrethinën e Kërçovës, më duhet padyshim të theksoj, se ajo ka traditë të lidhur ngushtë me Kërçovën. Kësisoj, shqiptarët e Kërçovës dhe Pellagonisë, janë të lidhur si mishi me thua”, ka theksuar mes tjerash, Nebi Bilalli. Duhet të theksohet se ndërtimi i godinës së re shkollore ka zgjatur prej vitit 2007 e deri më 2014, kur edhe nxënësit janë bartur në këtë objekt impozant, i cili plotëson kushtet për arsimim cilësor, si dhe është i pajisur edhe me sallë sporti. Me këtë rast kryesuesi i Këshillit të kësaj shkolle Elban Bajrami, ka ndarë mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuar për hapjen dhe ngritjen e kësaj shkolle. Të pranishmit në emër të Komunës së Dollnenit i përshëndeti sekretari i saj Sevgani Ibrahimi, ndërkohë që nxënëset Suhejla Rushiti, Emine Amedi dhe Fetije Aliu, përmes vargjeve të zgjedhura poetike dhe grupi i valltarëve dhe valltareve nga kjo shkollëme “Vallen e Rugovës”, si dhe Selim Alimi (veteran arsimi nga kjo anë), përmes një pike me çifteli, i dhanë kolorit të veçantë këtij manifestimi, ndërkohë që programin në mënyrë të mrekullueshme e drejtoi nxënësja Nazmije Ismaili.
Përndryshe në fushëgropën e Pellagonisë, janë të vendosura një mori fshatrash shqiptare, që nga Debreshi, Sazhdeva, Jakrenova, Borina, Nerova, Alldançja, Presilla, Llazhani, Desova dhe disa fshatra të vegjël të Krushevës gjer në Manastir, të përfshirë në Komunën e Dollnenit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara