Pas 13 muaj vakum politik, qeveria e re libaneze merr votëbesim në Parlament

23

Parlamenti libanez, i dha sonte votëbesim qeverisë së re me kryeministrin Najib Mikati, misioni kryesor i të cilit do të jetë të ndalojë kolapsin e vendit që përballet me një krizë të madhe.

Pas shqyrtimit të planit të veprimit të qeverisë gjatë seancës maratonë, e cila zgjati tetë orë, 85 ligjvënës votuan në favor të kabinetit të ri, ndërsa 15 votuan kundër, tha kryetari i parlamentit Nabih Berri pas numërimit të votave.

Qeveria prej 24 anëtarësh e udhëhequr nga Mikati, u formua më 10 shtator, pas 13 muaj vakum politik. Vendi mbeti pa një qeveri të re pas dorëheqjes së kabinetit të Hassan Diab pas shpërthimit katastrofik në portin e Bejrutit më 4 gusht 2020.

Kjo vonesë përkeqësoi krizën financiare, të cilën Banka Botërore e përshkruan si një nga më të këqijat në botë që nga viti 1850. Ndër sfidat e panumërta, qeverisë së re do t’i duhet të arrijë një marrëveshje shpejt me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Para ligjvënësve, Mikati u zotua të rifillojë bisedimet me institucionin financiar dhe “të zhvillojë një plan për rimëkëmbjen ekonomike”. Qeveria e re gjithashtu pritet të përgatisë terrenin për zgjedhjet parlamentare të planifikuara për në maj 2022.