Pas 11 operacioneve, ndërron jetë aktivistja kundër zyrtarëve të korruptuar (FOTO)

Një aktiviste e njohur e lëvizjes anti-korrupsion në Ukrainë, ka ndërruar jetë 3 muaj pasi u sulmua me acid. Katerina Handzyuk, 33 vjeç, pësoi djegie në mbi 40 % të trupit të saj, ndërsa pati dëmtime edhe në sy. Për këtë arsye ajo u detyrua t’i nënshtrohej 11 operacioneve.

Sulmi ndaj aktivistes u dënua edhe nga presidenti Petro Poroshenko, i cili në një dalje për mediat ditën e djeshme, kërkoi ndëshkimin e autorëve. Sipas BBC, deri në këtë moment janë arrestuar 5 persona, si të dyshuarit kryesorë për sulmin. Sipas të dhënave, shkaku i vërtetë për vdekjen e 33-vjeçares është bërë mpiksja e gjakut.

“E di që dukem keq tani, por të paktën po kurohem. Jam e sigurt se përsëri dukem shumë më mirë sesa drejtësia në Ukrainë, pasi askush nuk po vë dorë që ta ndryshojë situatën”, u shpreh Handzyuk teksa kurohej në spital.

Katerina Handzyuk u sulmua më 31 Korrik në qytetin jugor Kherson. Vdekja e 33-vjeçares shkaktoi reagime të shumta në rrjetet sociale, ku mjaft mbështetës të saj mbetën të shokuar.