Evis HALILI
Shkup, 1 nëntor – Shënimi i dhjetë vjetorit të themelimit ka qenë një prej shkaktarëve që në xhirollogarinë e tij të derdhet shuma e parë për financimin e aktivitetit të tij. Bëhet fjalë për financimin nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të projektit për botimin e një kompleti veprash që lidhen më shënimin e kësaj date, shkruan gazeta KOHA. Kjo do të jetë edhe mbështetja e vetme financiare nga shteti për këtë përvjetor, shënimi i të cilit do të shtrihet nga datat 20-22 nëntor. Sipas drejtorit Skënder Hasani, Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, do të jetë institucioni që do të marrë përsipër mbështetjen e kësaj date dhe programin e aktiviteteve që do të zhvillohen në Shkup e Manastir.
Por, edhe pse ITSHKSH më 22 nëntor do të shënojë dhjetë vjetorin e themelimit, funksionimi i tij gjatë këtyre viteve lëviz brenda një qerthulli problemesh të njëjta, numër i vogël kuadrosh, pa buxhet vjetor për veprimtarinë shkencore e hulumtuese, pa godinë të vetën… Janë vetëm 1 milionë e 200 mijë denarë, buxheti që ka në dispozicion ky institucion nacional, ku më shumë se 80 për qind shpenzohet për faturat elektrike, mirëmbajtjen e shërbimet e tjera. Ndërkohë që Ministria e Arsimit dhe Shkencës, asnjëherë nuk ka akorduar fonde vjetore për realizimin e projekteve dhe veprimtarisë shkencore dhe hulumtuese, duke bërë kështu që drejtimi i këtij institucioni të kalojë nga një drejtor në tjetrin, ndërsa vetë aktiviteti i tij të ketë si ngjarje kryesore nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit, promovime librash dhe revistash dhe vitet e fundit i janë shtuar edhe ngjarje të tjera më të rëndësishme, si organizmi i konferencave shkencore ndërkombëtare, e të tjera.
“Etablimi i institucionit filloi vonë dhe për punën që kemi bërë vitet e fundit kemi marrë vlerësime të jashtëzakonshme nga jashtë. Por, duhet që të ndihmohemi nga institucionet shtetërore, kemi nevoja si për objektin, strukturimin e brendshëm me punësime e kapacitete të reja, e të tjera. Përkrahja financiare është më jetike. Për herë të parë kemi hartuar programin afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë, që përbën një sfidë më vete për institucionet shtetërore që duhet ta mbështesin. Nuk do të kishte më kuptim që ne të vazhdojmë të funksionojmë kështu, pa asnjë lloj financimi nga MASH për projektet dhe programin vjetor. Këtë vit për herë të parë u mbështet financimi i botimeve me rastin e dhjetë vjetorit, por vetëm kaq. Pjesa tjetër e organizimit do të mbështetet nga SIMO”, thotë drejtori Hasani.
ITSHKSH u themelua më 22 nëntor, në Ditën e Alfabetit të gjuhës shqipe, datë kjo që u bë pjesë edhe e kalendarit të festave nacionale. Drejtoresha e parë ka qenë Mirushe Hoxha dhe në vitet e para ky institucion nisi funksionimin me vizione dhe koncepte që humbën dhe u transformuan gjatë këtij rrugëtimi dhjetë vjeçar. (koha.mk)