Analizat e Bankës Botërore tregojnë që projektet e Partneritetit publik-privat (PPP) në nivel global këto vitet e fundit kanë shënuar një ecuri pozitive duke u konfirmuar si një instrument shumë i rëndësishëm në konsolidimin e infrastrukturës. Në Evropë me sukses, PPP shfrytëzohet edhe nga Greqia, Italia, Portugalia, Belgjika dhe Spanja etj
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 21 shkurt – Maqedonia renditet ndër shtetet që më pak shfrytëzojnë modelin e Partneriteti Publik-Privat, që paraqet një mënyrë financimi, nëpërmjet së cilës një autoritet publik u bën thirrje investitorëve privatë për financuar dhe menaxhuar një instalim, që siguron ose kontribuon në shërbimin publik. Partneri privat merr si kundërvlerë një pagesë prej partnerit publik , ose prej përdoruesve të shërbimit që ai menaxhon, shkruan gazeta KOHA.
Ekspertët thonë se nevoja për një model të tillë të ndërtimit të rrugëve, menaxhimit të aeroporteve, shërbimet e pastrimit, një pjesë e shërbimeve mjekësore, ujërave, pyjeve e kështu me radhë buron nga mundësitë e kufizuara të shtetit për dhënien e këtyre shërbimeve, apo shfrytëzimin e pasurive kombëtare nga njëra anë, dhe kërkesave në rritje të shoqërisë për këto shërbime, në anën tjetër.
RRITJA E SHPEJTË E PPP E SHTON RISKUN FISKAL
Në ndërkohë, Shqipëria në vitin 2016 është renditur në vendin e 14-të nga 82 shtete në botë sipas suksesit të partneritetit privat-publik, tregojnë analizat e Bankës Botërore. Suksese janë arritur në përgatitjen e projekteve, furnizimin, menaxhimin me propozimet e padëshiruara dhe menaxhimin me kontratat. Në rajon, Shqipëria është më mirë e renditur bile edhe nga Bullgaria , Rumania dhe Bosnje e Hercegovina.
Raporti evidenton që rojektet e Partneritetit publik-privat (PPP) në nivel global këto vitet e fundit kanë shënuar një ecuri pozitive duke u konfirmuar si një instrument shumë i rëndësishëm në konsolidimin e infrastrukturës. Në Evropë me sukses, PPP shfrytëzohet edhe nga Greqia, Italia, Portugalia, Belgjika dhe Spanja etj.
Nga ana tjetër, para disa javësh, nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar është theksuar se rritja e shpejtë e PPP-ve në Shqipëri , e shton edhe riskun fiskal, andaj sugjerohen edhe hapa të mëtejshëm për të kontrolluar këtë aspekt. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka nënvizuar edhe njëherë rrezikshmërinë për ekonominë shqiptare të kontratave me Partneritet Publik Privat. Duke përshëndetur vullnetin e qeverisë për ndalimin e kësaj praktike, FMN në raportin e fundit shkruan se në buxhetin e 2019, parashikohet një listë e PPP-ve potenciale, sa 15 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit, që përfshijnë më shumë se 220 projekte.
Në ndërkohë , analizat e organizatës Analitika, tregojnë se suksesi i dobët i Maqedonisë për të shfrytëzuar një model alternativ të financimit të projekteve të ndryshme, aty ku shtetit i mungojnë para , ndërlidhet me mungesën e një metodologjie që do të tregojë se sa një projekt është i suksesshëm, mos azhurnimin e të dhënave për shumat e marrëveshjeve të kontraktuara midis pushtetit dhe partnerit privat , kohëzgjatjen e projektit. Nga Analitika thonë se financimi i projekteve të partneritetit privat-publik në Maqedoni duhet të realizohet me kujdes për shkak se në parim paraqet edhe rritjen e borxhit në nivel lokal dhe shtetëror. Gjithashtu projekte të tilla janë komplekse për shkak të shumës së madhe të parave që qarkullohen, dhe rrezikut nga paraqitja e korrupsionit.
PËRGATITJA DHE NDJEKJA E REALIZIMIT TË PROJEKTEVE
Sipas ekspertit, Sasha Maksimovski, në Maqedoni ekzistojnë mundësi të mëdha për realizimin e projekteve të tilla, si nga ana e komunave ashtu edhe pushtetit qendror, megjithatë nevojitet një rregullativë më e mirë ligjore në këtë drejtim.
“Ekzistimi i një kornize të qartë institucionale dhe ligjore, paraqet një nga kushtet kryesore për zbatim të suksesshëm të partneritetit privat publik në Maqedoni. Njëherazi na nevojiten edhe përforcimi i kapaciteteve në nivel lokal dhe qendror, si dhe kriteret për vlerësimin se sa projekte të tilla mund të realizohen. Nevojiten edhe përgatitja dhe ndjekja e realizimit të projekteve të tilla, duke marrë parasysh përfitimet dhe qëllimet ekonomike, sociale dhe ekonomike”, shton më tej ai. Maksimovski thotë se si shtet na nevojitet një model më efikas institucional i menaxhimit ose vendosja e një modeli të ri që do të bazohet në dokumentet zhvillimore strategjike të shtetit, si dhe koncepti i ri për zhvillimin e partneritetit privat publik në funksion të zhvillimit ekonomik të Maqedonisë.
Ndryshe, shembuj më të ri të PPP në Maqedoni ishin kalimi muajin e kaluar i kardio kirurgjisë së fëmijëve nga klinika shtetërore në klinikën private Filipi i dytë. Nga Ministria e Shëndetësisë e kanë arsyetuar një hap të tillë, me faktin se nuk ka nevojë të investohet në infrastrukturën ekzistuese kur për disa vite pritet të rrëzohet qendra ekzistuese klinike, dhe të fillohet me ndërtimin e qendrës së re në Komunën e Gjorçe Petrovit. Në proces e sipër është edhe përgatitja e studimit fizibiliti që do të tregojë mundësitë dhe kapacitetet ndihmës së shpejtë si gjasat që ky shërbim eventualisht të punojë në të ardhmen me modelin e PPP. Gjithashtu, një nga opsionet për funksionim më të mirë të qendrës dimërore të Kodrës së Diellit është partneriteti privat publik, ndërsa Komuna e Kumanovës filloi me procedurën për dhënien me koncesion të ndriçimit publik për dhjetë vite, ku firma që do të fitojë tenderin do të investojë 4.7 milionë euro dhe do të mirëmbajë 9340 vende ndriçuese. Në fillim të muajit shkurt, qeveria vendosi se do të ndërtojë sistem të ri për shpërndarjen e gazit natyror përmes PPP, në territorin e tërë shtetit.
Ndryshe, analizat tregojnë se shembuj të projekteve të suksesshme të partneritetit private publik në nivel lokal janë komunat Çair, Kavadar dhe Makedonski Brod për ndriçimin rrugor, Komuna e Ohrit-Tregu i gjelbër, Komuna e Aerodromit-Salla Sportive, komuna e Gjorçe Petrov-grumbullimi i mbeturinave, Komuna e Manastirit-Parkingu , Komuna e Kriva Pallankës -ndërtesa komunale si dhe disa marrëveshje për ndërtimin e hidro elektranave në nivel lokal. Në nivel qendror, aeroportet në Shkup dhe Ohër vlerësohen si projekte të suksesshme të koncesioneve apo PPP. (koha.mk)