Komuna e Çairit prej vitit 2011 e deri më sot nuk ka arritur të kthej në funksionim “Partizanin” sallën më të vjetër sportive në këtë pjesë të Shkupit. Përderisa shumë sportdashës këtë sallë e kujtojnë me mallëngjim, ajo sot më tepër shfrytëzohet si një hangar mbeturinash dhe strehë për qentë endacak
Omer XHAFERI
Shkup, 30 shtator – E djegur vite më parë palestra e “Partizanit” në lagjen e Çairit, vazhdon të jetë jashtë funksionit. Premtimet e autoriteteve lokale për rimëkëmbjen e kësaj salle deri më tani fare nuk janë realizuar. Nëse dikur kjo palestër ishte strehë e basketbollit dhe sporteve tjera, ajo sot është një çerdhe e qenve endacak. Pasojat e zjarrit që përfshiu në vitin 2011, janë të freskëta edhe sot. Hyrja kryesore e kësaj palestre është e boshatisur plotësisht.
Neglizhencën institucionale, në këtë rast të Komunës së Çairit, si duket shumë qytetar e kanë shfrytëzuar për ta mbushur këtë sallë me mbetje të ndryshme. Gomat e veturave dhe mbetjet e mobiljeve kanë krijuar një mini deponi në këtë sallë. Meqë në të kaluarën, në kuadër të kësaj salle funksionin edhe disa tablo ping-pongu, të njëjtat sot janë hedhur si bërllok nën koshat e palestrës së Partizanit.
Ish-lojtari i Klubit të Basketbollit “Slloga”, Faton Ismaili, kujton se kjo palestër është ‘diamant’ që dikur, në kohën e komunizmit, përpunohej çdo ditë, edhe atë deri në 18 orë në ditë. Mirëpo, siç shprehet ai për gazetën KOHA, sot kur kemi shumë më tepër nevojë për t’iu mundësuar të rinjve hapësira për t’u marrë me sport, palestra është shkatërruar.
“Dikush e morri objektin e përdori si kalë për punë, por nuk e ushqeu fare, tani që kalit s’i ka ngelë fuqi e ka hedhë në rrugë që të ngordhë. Kjo që e ka lënë të ngordhë mund të jetë edhe pjesë e ndonjë plani më të madh, sepse nuk është për t’u habitur nëse dikush ka plan dhe din se çka mund të bëjë edhe me kalin e ngordhur. Atë që s’mund ta kuptoj është përse komuna nuk ndërhyn ta merr nën kontroll ketë ‘diamant, duke e rregulluar dhe riaftësuar atë me mundësi fantastike për të zhvilluar sportin masiv. Aq më shumë kur jemi komuna me dendësinë më të madhe të popullatës, madje pjesa më e madhe rini. Gjithsesi zgjidhja më e mirë do të ishte kompleks sportiv afarist që do të ndërtohej prej ndonjë investuesi të madh me kusht që terrenet sportive të menaxhohen nga komuna. Nëse jo, mjafton të shihet palestra e vogël në qendrën e sportit KALAJA dhe të rregullohet palestra që do të kishte potencial të përdorim multidisiplinor, ndërsa investimet kundrejt përfitimeve do të ishin minimale”, thotë Ismaili.
Ndryshe, ai shton se në botën e mençur parkingjet shndërrohen në hapësira për aktivitete sportive të të rinjve, ndërsa te ne shqiptarët e kundërta. “Objektet sportive i shndërrojmë në vende për paintboll si palestra e Çairit, ose parking si palestra e madhe në Qendrën “Boro e Ramizi” në Prishtinë që përdoret si parking nga i cili fiton dikush që e ka “çliruar” Prishtinën për ta okupuar palestrën”, shton Ismaili.
Arsyet e zvarritjes së restaurimit të kësaj salle, për të cilën llogari mban Komuna e Çairit, janë kryesisht procedurale. Zëdhënësi i kësaj Komune, Kushtrim Alla, për gazetën KOHA, njofton se brenda dy tre muajve pritet të fillojnë punimet për riparimin e dëmeve në palestrën e ‘Partizanit’. “Projekti është në fazë përfundimtare. Pritet të finalizohet së shpejti. Brenda kësaj do të dihen edhe detajet se si do të duket kjo palestër”, tha Alla. (koha.mk)