Partizani u ka dhënë një muaj pushim lojtarëve dhe gjatë kësaj kohe drejtuesit do të përpiqen të bëjnë transferime të goditura, me qëllim që në sezonin e ri skuadra të jetë sa më e plotë dhe konkurruese. Klubi i kuq, duke marrë parasysh faktin se tani e tutje do të drejtohet nga Luciano Moggi, pritet të afrojë lojtarë të huaj, por kjo nuk do të thotë se nuk u ka hedhur sytë disa prej protagonistëve të Superiores.
Siç zbulon “Sport Ekspres”, kryeqytetasit duan dy mesfushorët e Kukësit, Izair Emini dhe Nijaz Lena. I pari duket më i vështirë, sepse Kukësi pretendon se i ka rinovuar kontratën duke përdorur disa klauzola, për të cilat lojtari nuk është dakord. Ai pretendon se është i lirë dhe ka biseduar me “Demat e kuq”. Ndërkohë, Lena aktualisht është duke pushuar në Maqedoni. Pas ndeshjeve në Evropë, ai deklaroi se ka mbyllur gjithçka me verilindorët.