Prishtinë, 17 dhjetor – Të gjitha partitë politike që janë në pushtet, si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal kanë keqpërdorur resurset publike për qëllime të fushatës për zgjedhjet e parakohshme në muajin tetor të këtij viti, publikoi koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim (DnV).
Në konferencën e sotshme për shtyp në Prishtinë, në të cilën u promovua raporti i DnV nga mbikëqyrja e zgjedhjeve, u tha se mbi 10 për qind nga fushata e mbikëqyrur është evidentuar keqpërdorim të automjeteve zyrtare dhe nëpunëseve zyrtarë.
Në gjithsej 787 aktivitete parazgjedhore të monitoruara janë shpenzuar rreth 3.6 milionë euro nga partitë politike, ndërsa vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës ka kaluar kufirin ligjor. Më së shumti aktivitete, rreth 200, ka pasur partia qeverisëse Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Drejtori Ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (IDK), Ismet Kryeziu e transmetoi vlerësimin e përgjithshëm të DnV se procesi zgjedhor ka qenë nën frymën demokratike dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Kryeziu ka vërejtur se Komisioni Qendrorë Zgjedhorë iu deshën 53 ditë nga mbajtja e votimeve për të publikuar rezultatet zyrtare përfundimtare.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Kristian Held ka vlerësuar pozitivisht procesin zgjedhorë por theksoi se në të ardhmen janë të nevojshme ndryshime në legjislativen zgjedhore, me qëllim që të shmangen vonimet siç ndodhën gjatë këtij procesi.