Të rinjtë mbesin të zhgënjyer dhe të dëshpëruar për fatin e tyre i cili varet nga partitë politike. Në anën tjetër të rinjtë të cilët përfaqësojnë partitë politike theksojnë se duhet rinia të ngrejë zërin dhe të ndryshojë këtë mentalitet duke zgjedhur përfaqësues adekuat politik dhe jo ta shohin partinë si mjet për të arritur qëllime individuale
Remzije BILALLI
Shkup, 7 tetor – Problemet në shoqërinë tonë nuk kanë të përfunduar, ndërsa zgjidhje e vetme mbeten partitë politike. Më shumë se çdo individ janë të rinjtë të cilët duhet të merren me politikanët sepse dhe ata merren me fatin e të rinjve duke e pasur në dorë fatin e tyre. Por, për fat të keq, shumica e rinisë nuk po e shohin si ideologji por si mjet për ti arritur qëllimet e tyre, siç është punësimi. Të rinjtë përfaqësues të partive politike theksuan se të rinjtë gjithnjë e më shumë po interesohen që të përfshihen në politikë që sipas tyre është mjaft pozitive sepse rinia është ardhmëria e një vendi.
PARTIA POLITIKE TË MOS SHIHET SI QËLLIM PËR PUNËSIM
Ardonit Ismaili nga partia opozitare Aleanca për Shqiptarë theksoi se në momentet kur shteti ynë po përpiqet drejt integrimit në NATO dhe BE, ne duhet të jemi më optimist se kurrë, në mënyrë që të ndërtojmë një të ardhme më të mirë. Sipas tij rinia të zgjedh përfaqësuesit e duhur politik në mënyrë që partia politike të mos shihet si qëllim për punësim por si ideologji për të ndryshuar kushtet në vend.
“Fatkeqësisht rinia jonë çdo ditë e më shumë po emigron, për shkak të politikave të deritanishme, mirëpo ende nuk është humbur totalisht besueshmëria ndaj disa partive. Të rinjtë duhet të ndryshojnë mentalitetin e tanishëm politik që punësimin dhe përmirësimin e kushteve mos ta gjejnë tek partitë por një gjë e tillë të mundësohet nga qeveria pa dallim se cilës parti i përkasim”, tha Ismaili për gazetën KOHA.
Përfaqësuesi Daim Luçi nga Alternativa, u shpreh se kur flasim për politikën dhe të rinjtë flasim për dy dimensione jetike që garantojnë ardhmërinë e një shteti, pra rinia si potencial apo resurs njerëzorë dhe politika si proces i ndërtimit të mirëqenies shoqërore e cila pak, për të mos thënë fare kultivohet në mjedisin tonë. “Sot shpërngulja e popullatës, në veçanti e rinisë jep mesazhin se këto dimensione nuk kanë ekuilibër. Mos interesimi vjen nga shumë faktor por adresa mbetet zhgënjimi ndaj partive politike dhe ideologjisë së tyre. Rinia gjithnjë e më shumë po aftësohet dhe synim i tyre është arsimi, perspektivë dhe mirëqenie dhe jo vetë garanti i një pune”, tha Luçi për gazetën KOHA.
Luçi shtoi se të rinjtë duhet të udhëheqin politikën, ndërsa në Alternativë gjithnjë diskutohet për këtë segment, se si rinia të jetë bartëse e udhëheqjes të proceseve politike, por ky angazhim është i ulët nga shumë parti politike. Për të rinjtë nuk duhen as kuota e as plane, duhet shtytje dhe përkrahje.
PARTITË POLITIKE ME MEKANIZMA TË GABUAR STIMULUESE
Të rinjtë nga partitë politike propozuan krijimin e platformës e cila do të shërbej dhe do ti ofroj të rinjve kushte dhe një të ardhme më të mirë pa bërë keqpërdorimin e tyre nëpër fushat, ndërkaq me ofrimin e një pune të mos heshtin ideologjinë e të rinjve.
Nga ana tjetër Artion Rama, i cili përfaqëson të rinjtë jashtë partive politike, për gazetën KOHA u shpreh se rinia ka keqkuptuar politikën, ndërkaq edhe partitë politike kanë zgjedhur mekanizma të gabuar stimuluese për motivim dhe bindje e të rinjve në politikë”
“Çdo here më orvatet në mendje koncepti i një teorie politike, se nëse nuk merremi me politikë, politika merret me ne. Në fakt politika është qëllim por qëllimi duhet mbështetur në ideologji edhe pse tek ne disa parti nuk e dinë zyrtarisht çfarë orientimi politikë kanë. Platforma dhe gjithçka tjetër përcaktohet nga lideri dhe partia dhe jo nga ideologjia që kanë të rinjtë. Fatkeqësisht forumet rinore mbesin si hapësira militantet dhe jo ideologjike”, tha
Rama. Ai theksoi se të rinjtë e papërcaktuar dhe të pa përfaqësuar përçojnë një mesazh të qartë dëshpërimi dhe mosbesimi për sistemi politikë dhe partiak që kemi sot pse jo edhe të garniturës së OJQ që lëvizin në vendin tonë. (koha.mk)