Zgjidhja më e mirë do të kishte qenë që lustrimi të ishte pengesë për të mos u zgjedhur në funksione publike, e jo dhe të largoheshin nga puna. Por, të mos harrojmë, versioni i parë i ligjit, i sjellë me konsensus gjithëpartiak, kishte qenë i tillë, ndaj dhe disa profesorë universitarë që u shpallën bashkëpunëtorë, fajin le ta kërkojnë te partitë, e jo te lustratorët
Nga Daut DAUTI
Shumë nebuloza e kanë përcjellë procesin e lustrimit, me dilema thelbësore apo të kota. Pyetjet se a duhet apo nuk duhet të lustrohen gazetarët, kleri fetar, apo OJQ-të, ishin çështje që u debatuan mjaft, sikur dikush që ka një veprimtari publike, të mund të lirohet nga përgjegjësia e bashkëpunimit me ish organet e sigurimit. Por disa nga këto çështje, i zgjidhte Gjykata Kushtetuese, me të drejtë, apo pa të, s’ka rëndësi. Disa akuza të tipit, si mundet gazetarët të lustrojnë gazetarë, shkonin drejtpërdrejt në adresë të tre anëtarëve shqiptarë që ishin të vetmit gazetarë në përbërjen e parë (në të dytën erdhi një gazetar maqedonas dhe shkoi një shqiptar). Njëri nga më të zëshmit, gazetar dhe shkrimtar, shkonte nëpër tribuna ku flitej kundër lustrimit, duke vjellë çmos kundër “kolegëve” të vet, të cilët “s’paskan pasur respekt për të”, edhe pse ai duhej ta dinte më mirë se gjithkush tjetër të kaluarën e tij. Ai në dokumente paraqitej jo pak i zellshëm, duke kërkuar prej policinë sekrete një diktaforn “special” (me kaseta të vogla!) për t’i përgjuar kolegët e redaksisë! Çfarë mund të bëje për një të tillë, faji ishte i gazetarëve që nuk e shpëtuan kolegun?! Por tash ai mund të rehabilitohet, si shumë të tjerë, me ligjin më të ri që ndoshta do të sillet, mund të marrë edhe ndonjë zhdëmtim, varësisht se çka do të parashohë ligji, edhe pse ai prej vendimit për lustrimin e tij kaloi në pension dhe asgjë nuk i ka munguar! Në të vërtetë, nëse ligji në fjalë ka ndërmend të humanizojë pasojat, ani, le ta bëjë, ai mjafton të merret me aspektin e pasojave të mbetjes së papunë të ndonjërit, edhe pse me sa dimë, të paktë janë ata që për shkak të lustrimit mbetën në rrugë.
Në Maqedoni u bë dramë nga lustrimi, sikur këtu të bëhej së pari herë si “eksperiment”, duke harruar se shumë vende në tranzicion e bënë shumë më herët, shumë më shpejtë dhe shumë më me themel! Harrohet se ai erdhi nga Rezoluta e Këshillit të Evropës. Mund të diskutohet a ishte modeli i zgjedhur më i qëlluari për kohën kur u zhvillua. Në disa vende ai ka qenë “më i fortë” se te, përmes mënjanimit nga sektori publik i të gjithë bashkëpunëtorëve të regjimit komunist. E diku, është mjaftuar që të shpallen publikisht bashkëpunëtorët dhe pastaj t’u lehet zgjedhësve nëse do t’ia japin votën një ish-kodoshi. Modalitetet e lustrimit i përcaktoi ligji. Pra, në Maqedoni u zgjodh një model lustrimi i cili s’ishte as i fortë, as i butë. Për mendimin tim zgjidhja më e mirë do të kishte qenë që të lustruarit të mos kishin të drejtë për t’u zgjedhur ose emëruar në poste udhëheqëse në parlament, qeveri, ministri, ndërmarrje publike, institucione publike, por jo edhe t’u ndalohet veprimtaria publike, siç ishte me të gjitha versionet e ligjit. Disa profesorë të lustruar, ose ish-ministra, apo gjykatës të periudhës pluraliste, fajin le ta kërkojnë te partitë, pa përjashtim, se ato e votuan ashtu ligjin, e jo te lustratorët, që shpesh ishin cak kritikash.
Në vazhdim, edhe disa lajthitje ose vërejtje kotnasikoti, të cilat nuk pushonin t’i adresoheshin metodologjisë së lustrimit.
- VOTIM, SI NË ÇDO ORGAN KOLEKTIV!
Një nga debatet shterpë rreth lustrimit ka qenë dilema nëse duhet të votohet kur kemi të bëjmë me verifikim faktesh? Një pyetje stupide! E dini kur opinionit publik t’i serviret një problem i shpikur, pastaj gjithë të diturit e të paditurit kapen në të. Ligji ka qenë shumë i qartë se vendimet merren me shumicë votash! Nuk ka organ kolektiv ku nuk votohet! Do të thotë dikush, si mundet që komisioni të ndahet gjatë votimit? Pse nuk ia shtrojnë këtë pyetje Gjykatës Kushtetuese, e cila po ashtu me votim i merr vendimet, edhe pse gjithë anëtarët janë juristë dhe njësoj do të duhej t’i lexojnë dhe vlerësojnë ligjet, por shpesh vendimet i merrnin me një votë dallim?! S’ka s’i t’i iket votimit, sepse vlerësimi i një gjëje(fakti) është i nënshtruar vlerësimit subjektiv në bazë të njohurive dhe dijes të secilit anëtar, të cilët ishin 11, duke i peshuar të gjitha elementet për të marrë qëndrim. Për ndonjë anëtar ka qenë i mjaftueshëm vetëm një dokument për të shpallur dikë bashkëpunëtor, sepse në të i ka pasur ndoshta të gjitha elementet e duhura, për dikë tjetër kjo nuk ka qenë e mjaftueshme dhe ka votuar kundër ose është përmbajtur. Prandaj dhe ka vendime që janë marrë me shumicë absolute votash (si në rastin e gjykatësit të përmendur, ku nuk ka pasur ndasi në baza “partiake”), por dhe vendime të cilat janë marrë me shumicë të ngushtë. Në këtë kontekst, ka pasur votime ku kanë qenë unanimë anëtarët maqedonas, e në anën tjetër anëtarët shqiptarë, dhe ka pasur edhe shumicë të përzier dhe pakicë poashtu të përzier. Në periudhën kur u tërhoqën anëtarët e propozuar nga LSDM-ja, shpesh ndodhte që oponencën brenda komisionit ta bënin anëtarët shqiptarë të propozuar nga BDI-ja, duke insistuar në më shumë elemente për të vendosur. I tillë ishte rasti i gazetares së njohur të magazinit “Fokus”, që mori shumë publicitet, duke akuzuar komisionin se lustrimi saj ishte hakmarrje ndaj shkrimeve të saj kritike. Ajo ishte vënë për së dyti në rend dite, por dy anëtarë shqiptarë(të dy gazetarë) nga tre dhe dy anëtarë maqedonas, ishin të përmbajtur, sepse nuk gjetën elemente qenësore shtesë. (Pikërisht ky rast bëri që presioni mbi komisionin të shtohet nga brenda dhe jashtë, gjë që ndoshta solli deri në mbylljen e procesit të lustrimit, për çka disa nga anëtarët tjerë e kuptuan vonë gabimin!).
- PËRKATËSIA “PARTIAKE” E TË LUSTRUARVE
Jashtë lustrimit kanë mbetur edhe shumë persona, pos atyre disa qindra, por duhet të kihet parasysh fakti se lustrimi ka zgjatur vetëm gjashtë vjet, katër vjet më pak se sa që ishte i paraparë gjer në vendimin për ndërprerje.
Versioni i ri i ligjit, u soll me votat e shumicës parlamentare, sepse LSDM-ja u tërhoq nga vetë lustrimi dhe nga pjesëmarrja në hartimin e ligjit. Ky ligj, me emër të ri, solli disa ndryshime qenësore në metodologjinë e lustrimit, me të cilin lustroheshin ish-funksionarët duke përfshirë edhe të vdekurit(për çka shpesh kishte debate përse të bëhet, një çështje fare e parëndësishme), ka dhënë mundësi më të mëdha hulumtimi edhe me vetiniciativë.
Pavarësisht se është krijuar një bindje e caktuar, e vërteta është se janë lustruar edhe kuadro të afërta të partive në pushtet(një kryetar i këshillit të komunës, si person më i njohur nga radhët e VMRO-DPMNE-së) ose të BDI-së por dhe të PDSH-së apo PPD-së. Përshtypja se janë përfshirë më shumë emra nga LSDM-ja është për arsye se disa emra ishin vërtet atraktivë për publikun dhe përmes tyre krijohej opinion dhe bujë mediatike. (Për shembull, nuk bëhej fjalë fare për disa emra jo atraktivë, tek të cilët kishte ndoshta më pak elemente inkriminuese!). Në fazën e dytë, ishin tërhequr anëtarët e LSDM-së dhe s’kishte kush të nxjerrë me vetiniciativë ndonjë “të VMRO-së” për ta vënë në sprovë komisionin, sa për balans! Jam i sigurt se asnjë s’do të shpëtonte po të kishte dokumente që dëshmojnë bashkëpunimin, sikur të vinte edhe nga radhët e pushtetarëve të VMRO-së. Në një rast, një anëtar pikërisht i kësaj partie, shfrytëzoi të drejtën e përjashtimit nga votimi, ngase një i lustruar kishte afërsi familjare me të. Por ai nuk kërkoi nga komisioni që të mos votohet! Në të vërtetë, tërheqja nga lustrimi dhe lënia në dorë gjithçka oponencës së tyre, LSDM-ja arriti dy qëllime të kundërta mes vete: njëri, që deri në fund e problematizoi lustrimin si diçka që ka dalë prej binarëve(këtë e ndihmoi edhe vetë!) dhe i dyti, duke mos qenë brenda në proces, mundësoi që disa emra të problematizuar, të mbeten pa mbrojtjen e saj. Në këtë listë problematike u gjetën disa shkrimtarë, skulptorë, profesorë, gazetarë, që jo domosdo kishin bazë partiake, por dhe disa ish-ministra të LSDM-së të kohës së pluralizmit. Këta të fundit ia adresonin gjithë fajin anëtarëve të “pushtetit”, duke harruar atë që ceka më lartë se edhe LSDM-ja kishte votuar për versionin e parë të ligjit, ku përfshihej periudha gjer në vitin 2008! Në një fazë të lustrimit, pikërisht dy anëtarët shqiptarë kishim arritur t’i bindim kolegët e zgjedhur nga partitë tjera që ta heqim nga rendi i ditës ministrin më të përfolur të punëve të brendshme! Këtë jo për ta mbrojtur atë, por për t’iu përgjigjur disa mediave te të cilët emrat e të lustruarve arrinin para se të vihen në rend dite. Kjo, gjithsesi, si shprehje manipulimi edhe nga ndonjë anëtar “sufler” i shtypit që kërkonte emra atraktivë!
- POZICIONI I ANËTARËVE SHQIPTARË
Në periudhën e përplasjes midis partive maqedonase, në disa paraqitje të mia publike, e ndjeve të nevojshme të sqaroj shumëçka lidhur me kundërthëniet që i nxiste lustrimi. Më duhet të them se unë dhe Shpend Vinca, si gazetarë dhe pa portofol partiak, në përbërjen e mandatit të dytë, shpesh ishim nën presion mediatik si mund të qëndronim në një komision “ku zbatoheshin urdhra partiake”. Në intervistën dhënë “Utrinski vesnik-ut”, pata thënë se nuk duhet të pritet në një organ si komisioni i lustrimit që anëtarët shqiptarë të zgjidhin kontestet historike, ideologjike e identitare brendamaqedonase, e as që saherë partitë maqedonase përplasen mes vete për arsye të ndryshme, anëtarët shqiptarë të ndjekin veprimet e tyre! Këtë gjë e pat kërkuar nga unë një gazetar tepër pro-LSDM-së në atë kohë, por që sot është bërë anti-LSDM-isti më i madh! Nuk e di çfarë “këshille” do të më jepte sot ai, nëse ende do të vazhdonte procesi! Anëtarët shqiptarë u rreshtuan me ligjin dhe mund të them se në masë të madhe kemi arritur t’i japin konstruktivitet punës, dhe të jemi balans, aq sa ka mundur në atë atmosferë mosbesimi e kundërshtimesh. Sigurisht, as sot nuk do të ndryshonim nga qasja jonë, vetëmse do të kishim insistuar në kritere edhe më të forta. Edhe një gjë, që duhet veçuar: vetëm dy partitë shqiptare, BDI-ja dhe PDSH-ja nuk kishin “deleguar” ish-funksionarë partiakë në komision, siç kishin bërë partitë maqedonase, por nga kandidatët zgjodhën tre gazetarë që s’ishin anëtarë të tyre, që më mirë se partitë tjera, i kishin respektuar kriteret e konkursit ku kërkohej profesionistë të suksesshëm fushash të ndryshme, e jo aktivistë partiakë! Ndoshta mu për këtë problemet ishin më tepër në relacion VMRO-LSDM, të cilat përmes lustrimit kishin edhe një fushëbetejë. Pa “fushëbetejë” nuk kaloi as në relacionin BDI-PDSH, por metodologjia e punës së komisionit bëri që të tejkalohet me lehtësi.
- A U DESH LUSTRIMI?
Për shkak të gjithë asaj që ndodhi, shumëkush do të jetë pyetur a na u desh lustrimi si shoqëri? Problemi më i madh është që si shoqëri nuk ishim të përgatitur për zbulimin e të vërtetës për bashkëpunëtorët e ish-organeve të sigurimit. Mendoj se procesi ishte paksa i vonuar, dy dekada pas fillimit të pluralizmit, kur shumë bashkëpunëtorë ose urdhërdhënësa nga regjimi komunist ishin pensionuar. Futja në ligj e kategorisë së ish-ave dhe madje edhe të vdekurit, solli te zbulime shokuese (shkrimtari Sllavko Janevski, disa akademikë…), që i dha kah përplasjeve të rrymave historike brenda maqedonase, gjë që shkaktoi ndoshta më shumë dëm se “pastrim” me të kaluarën!
Marrë në tërësi, procesi i lustrimit nuk mundi të përfundohet, pasi kapacitetet e komisionit ishin të kufizuara (anëtarët e komisionit vetë ishin hulumtues të dosjeve), në dallim nga disa vende(si në Bullgari…), ku janë angazhuar dhjetëfish më shumë njerëz. Megjithatë, fatkeqësia më e madhe është që në proces u futën ndasitë politike e ideologjike të partive maqedonase, me çka humbi besueshmëria. (fund)
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA dhe ish-anëtar i Komisionit për Verifikimin e Fakteve)