Shkup, 2 maj – Në Bankën Popullore të Republikës së Maqedonisë besojnë se zgjedhja e guvernatorit të ri do të realizohet në kohë me respektim të ligjeve. Për guvernator të ri presidenti i shtetit Gjorge Ivanov e propozon guvernatorin aktual Dimitar Bogov, të cilit mandati i skadon në datën 21 të këtij muaji.
“Besojmë se emërimi i guvernatorit të Bankës Popullore do të realizohet në kohë, me respektim të tërësishëm të dispozitave nga Ligji për Bankën Popullore të Republikës së Maqedonisë”, thonë nga BPRM për MIA-n.
Shtojnë se procedura për emërim të guvernatorit të Bankës Popullore, si dhe autorizimet dhe detyrat të cilat i ka guvernatori janë rregulluar/definuar në ligj.
Presidenti Gjorge Ivanov, propozimin deri te Kuvendi e dorëzoi të hënën. Që të pranohet propozimi dhe Bogov të rizgjidhet për guvernator të ri në shtatë vitet e ardhshme duhet të marrë mbështetje nga të paktën 61 deputetë në Kuvend.
Grupet e deputetëve të LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së sot ende nuk kishin qëndrim përfundimtar për propozimin, ndërsa nga BDI-ja e përsëritën qëndrimin nga e hëna se propozimi është i shpejtuar dhe jo i konsultuar.
Kryeministri Zoran Zaev dje paralajmëroi se lidhur me propozimin e Ivanovit do të koordinohet me grupin e deputetëve të LSDM-së. Sipas informatave nga Kuvendi, tani për tani nuk është dakorduar se kur Zaev do të takohet me deputetët e kësaj partie. Nga shumica qeveritare pohojnë se sot propozimi i Ivanovit ende nuk ka mbërritur deri te deputetët.
Dragan Danev nga VMRO-DPMNE theksoi se organet partiake këtyre ditëve do të mblidhen dhe do të sjellin vendim.
Ai personalisht konsideron se Bogov me përgjegjësi e ka ushtruar detyrën e tij prej që kur është guvernator i BPRM-së.
Artan Grubi nga BDI-ja të hënën theksoi se është edhe një propozim i shpejtuar dhe i pakonsultuar i Ivanovit që guvernator i ri të jetë Bogovi.
“Për fat të keq Ivaqnov e vështirëson kohabitacionin në muajt e fundit nga karriera e tij politike dhe nuk jep kontribut konstruktiv shtetëror në këto moment vendimtare për shoqërinë tonë”, theksoi Grubi.
Fadil Zendeli nga Besa, gjithashtu, potencoi se do të koordinohen para se të dalin me qëndrim përfundimtar.
Dimitar Bogod është guvernator i Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë nga viti 2011. Nga viti 2007 deri në vitin 2011, ai e ka ushtruar funksionin e zëvendës-guvernatorit të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë dhe ka qenë përgjegjës për tregjet financiare, menaxhimi me rezervat devizore dhe sistemet pagesore. Ai është anëtar i Këshillit drejtues të Iniciativës së Venecias 2.