Partitë e mëdha e kanë ndarë elektoratin dhe me fanatizëm e ruajnë këtë parim, por qytetarët nuk shprehin interes të konsiderueshëm që opsioni i tretë të ketë sukses. Paraqitja e një “opsioni të tretë” politik konkurrues ndër shqiptarë, është më real të pritet se sa në atë maqedonas
Destan JONUZI
Shkup, 18 shtator – Maqedoninë e Veriut përgjatë gjithë viteve nga pavarësia e këndej e kanë qeverisur dy partitë tanimë të etabluara në bllokun politik maqedonas, LSDM dhe VMRO-DPMNE. Perceptimi i qytetarëve është se qeverisja e tyre shumë pak dallon me veti, në nuanca të vogla. Ndërsa sipas njohësve të zhvillimeve politike, të dyja partitë të koordinuara njëra me tjetrën me fanatizëm e kanë ruajtur primatin e të qenurit të mëdhenj, shkruan gazeta KOHA.
Gazetari Aco Kabranov thotë se opsion i tretë politik në bllokun politik maqedonas prej kohësh po flitet, kishte edhe tentime për ta krijuar atë por, pa sukses.
“LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja e kanë ndarë elektoratin dhe me fanatizëm e ruajnë këtë parim. Edhe njëra edhe tjetra palë bëjnë gjithçka që çdo tentim për ta krijuar një bllok të tretë politik i cili do ti rrezikonte, ta shkatërroj që në fillim. Qytetarët janë thellësisht të ndarë mes dy partive më të mëdha edhe pse ka pasur dhe do të ketë iniciativa për një opsion të tretë, por qytetarët nuk shprehin interes të konsiderueshëm që ky opsion të ketë sukses. Për këtë arsye nuk jam optimist se për një kohë më të gjatë mund të ketë sukses ideja për një opsion të tretë”, vlerëson Kabranov.
Sipas tij, edhe tani ka tentime dhe paralajmërime për opsion të tretë, por njerëzit të cilët e promovojnë këtë opsion nuk japin shpresë se i njëjti mund të ketë sukses. “Përderisa ata që promovojnë këtë ide si monedhë përdorin emrin e shtetit, përkatësin etnike e fetare, të mos them nacionalizimin, në bllokun politik maqedonase do të sundojnë LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja. Ngjashëm është edhe në bllokun politik shqiptar, partitë të cilët dëshirojnë ti bëjnë ballë BDI-së, në vend se me oferta për jetë më të mirë, ekonomi, punësime, mundohen që ta fitojnë BDI-në me politika etnike, me retorikë tanimë të dëgjuar për padrejtësi qytetare, qytetarë të rendit të dytë etj. Për këtë arsye, ende jemi larg betejave me oferta kualitative për jetë, ambient të pastër jetësor, ashtu siç po gatuhet politika në botën e zhvilluar dhe të përparuar”, nënvizon Kabranov.
Nga ana tjetër, gazetari, Ismail Arsllani thekson se të gjitha parametrat relevant tregojnë qartë se në Maqedoninë e Veriut, përkundër deklarimeve pozitive verbale politike të elitave pushtetmbajtëse, po vazhdon edhe më tej kriza politike.
“Kjo ndodh për shkak të vazhdimësisë së “koalicioneve të kamufluara xhentëlmenë“, në nivel horizontal e vertikal të pushteteve, qoftë nga LSDM-ja apo VMRO-DPMNE-ja, apo nga oligarkët dhe biznesmenët e “nëntokës”, që nga pavarësimi i këtij shteti më 1991 e deri më sot, që për veprat e tyre kriminale, të mos shkojnë në përgjegjësi penale krerët e tyre, duke instrumentalizuar gjyqësorin dhe duke zhvatur kështu pasurinë shoqërore. Kishte sado pak shpresa që qeveria e ashtuquajtur reformatore e Zaevit të bëjë një kthesë pozitive në këtë rrafsh, por kjo jo vetëm që nuk ndodhi, madje “konglomerati” u pasurua edhe me afera korruptuese që dolën së fundmi në sipërfaqe, duke implikuar kreun e Prokurorisë Speciale, funksionarë të lartë të pushtetit dhe opozitës, biznesmenë të njohur dhe oligarkë”, deklaroi për KOHA, Arsllani.
Ai mendon se kjo situatë shtron nevojën imediate për një nismë konstruktive të grumbullimit të forcave intelektuale dhe politike më liberale, si një “opsion i tretë” i veprimit politik, që do t’i kundërvihej kësaj të keqeje që e ka katandisur këtë vend. “Për këtë synim do të nevojitej edhe mbështetja e faktorit ndërkombëtar. Shikuar realisht, kjo nuk mund të ndodhë në një të ardhme të afërt, për shkak të postimit të tashëm të LSDM-së në pushtet, e cila nuk do të lejojë aq lehtë largimin nga qeverisja edhe për disa vite. Situata e këtillë është edhe më e keqe në kampin shqiptar, ku për momentin nuk dihet se “kush hanë e kush pinë”, por në një mjegullnajë të këtillë, paraqitja e një “opsioni të tretë” politik konkurrues ndër shqiptarë, është më real të pritet se sa në atë maqedonas, por për këtë duhet pritur deri në tetor të vitit të ardhshëm, kur sipas deklaratës së kryeministrit Zaev, parashikohet mbajtja e zgjedhjeve parlamentare”, potencon analisti Ismail Arsllani.
Ndërkohë, në tre ciklet e fundit zgjedhore (2011, 2014 dhe 2016) koalicionet e dy partive maqedonase kanë fituar 98, 95 dhe 100 vende në parlament. Raporti mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së ishte 56:42, 61:34 dhe 51:49. Edhe përkundër këtyre rezultateve, është e pamundur që në Maqedoninë e Veriut të ketë qeveri pa partinë fituese në bllokun politik shqiptar. Pas së vitit 2001 e këndej, me formimin e BDI-së, kjo parti në të gjitha ciklet zgjedhore ka dalë fituese, duke fituar ndaj PDSH-së, me përjashtim të zgjedhjeve të vitit 2016, ku ballë i bënin Lëvizja BESA (Alternativa) dhe ASH-ja e Ziadin Selës. Por edhe në këto zgjedhje ngadhënjeu BDI-ja, ndërkaq ASH-ja për shkak të ofertës së dobët, sipas analistëve politik nuk u etablua mirë në elektorat, ndërsa Lëvizja BESA (tanimë Alternativa) për shkak të qasjes saj pro-turke nuk u votua sa duhet nga shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. (koha.mk)