Partikracia nuk qeveris, por e përdhunon demokracinë ashiqare dhe e shpërfytyron trishtueshëm! Loja mes tyre është si paraziti rriqra me viktimën. Partitë politike i kanë hipur në qafë demokracisë dhe shoqërisë dhe ua thithin pamëshirshëm lëngun e jetës, duke e dobësuar këtë të fundit në përmasa qesharake. Si pasojë e kësaj, demokracia në vend është shndërruar në një karikaturë, e cila të duket herë qesharake, herë e dhimbsur
Nga Shaqir ISLAMI
Hall i madh i demokracisë në vendin tonë është se ka mbetur si një shkurtabiq i shpërfytyruar dhe i përdhosur egërsisht nga dushmani pervers i tij, partikracia. Qysh pas rënies së perdes së hekurt bashkë me murin famëkeq ndarës të dy botëve – asaj demokratike dhe asaj komuniste – gjoja se nisi transformimi i shoqërive të bllokut komunist në shoqëri demokratike liberale. Por, në vendin tonë kjo e dyta mbeti vetëm një metaforë e ëmbël në përqafimin ngulfatës të partive politike.
Marrëdhënia e partive me demokracinë nisi gjoja se, mbarë! Me premtime dhe shpresë për një të ardhme të ndritur për të gjithë qytetarët njësoj. Edhe pas tre dhjetëvjeçarëve, narrativi i tyre politik përtypet duke përsëritur pa prajtur gjoja se përvëlohen e përpëliten për interesin publik, për të drejtat e qytetarëve, për ekonomi të tregut të lirë, për barazinë e shoqërisë… që të gjitha këto shquhen si vlera dhe parime të demokracive përfaqësuese liberale në shoqëritë e Perëndimit. Në vendin tonë, ende demokracia fare nuk duket kështu! Kur flitet për demokracinë mendohet për partikracinë. Sa më shumë që kuvendohet për demokracinë aq më shumë fuqizohet partikracia. Dhe kjo e fundit është shndërruar në një përbindësh që e ha atë të parin me pangopësi.
Çdo afat zgjedhor vazhdonte dhe vazhdon me fjalë të mëdha plotë shpresë, ndërsa pas shpinës së qytetarëve ndodhnin vepra përdhunuese të mëdha të shtyllave mbajtëse të demokracisë në vend. Jo se nuk ndodhi ndarja dhe drejtpeshimi i pushteteve, ato u gërshetuan mes partive politike si zorrët në bark. Partitë nuk i fshehin fare grykësinë e tyre, prandaj të gjitha pushtetet i shkrijnë në një të vetme në -Partikraci. Kësaj, në shoqëritë e konsoliduara liberale i thonë – regjim. Çdo pushtet është shkrirë në një masë monolite të vetme – në regjim.
Lakmia, injoranca, motivet e dobëta, ‘la dolcevita’, hajdutllëku, zullumi brenda sojit, … të gjitha këto e morën haraçin si ‘dash për kurban’ duke e sakatuar shpirtërisht dhe mendërisht shoqërinë e lodhur të rraskapitur nga eksperimentet çnjerëzore të komunizmit. Edhe pas një rrugëtimi tridhjetëvjeçar në shoqërinë tonë çdo gjë mund të gjesh – përveç demokracisë!
Demokracia, në fakt u shërbente verbërisht interesave të partive, dhe jo e kundërta. Kjo ishte një lodër seksi për vetmasturbim dhe vetëkënaqje ‘a la turka’, dikush edhe ‘a la franka’, por, kryesisht ‘a la katundarçe’. Pela e dikurshme, u zëvendësua me demokracinë !
Elitat politike me partitë e tyre duhej të ishin paralajmëruesit dhe prijësit e zhvillimit dhe pjekurisë së demokracisë për të ndërtuar shoqëri me mirëqenie shoqërore, politike dhe ekonomike. Gjatë këtij rrugëtimi të përbashkët, u shpërfytyrua qëllimi fisnik për ndërtimin e vlerave, parimeve dhe besimeve të demokracisë së vërtetë, siç janë shoqëritë modele për t’i imituar tek ne. Përkundrazi, partitë e trajtuan demokracinë si një mjet për t’i kënaqur epshet e tyre pornografike. Kështu që, me dashje e shndërruan demokracinë në porno-perverse.
Qysh nga nisma marrëdhënia e partive me demokracinë ka qenë veçse një lojë e pështirë sado-mazohiste. Kjo lojë perverse vazhdon të luhet edhe sot e kësaj dite!
Kështu ndodhi me tranzicionin e shoqërisë sonë drejt demokracisë së premtuar. Pasuria publike u plaçkit dhe u zhvat nga një grup familjesh sojsëza grykës të pangopur dhe zhvatës, ndërsa qytetarët mbetën duarbosh dhe të pashpresë. Asnjë premtim nuk u mbajt – fjala e dhënë, ende shërben vetëm për të mashtruar qytetarët dhe për të fituar edhe një mandat … ndërsa vendi boshatiset dit-për-ditë nga rinia e pashpresë për një ardhmëri të sigurt për jetën e tyre. Partikracia e përzë rininë pa adresë ‘ku këmbët, sytë’ anekënd nëpër botë.
Partikracia nuk qeveris, por e përdhunon demokracinë ashiqare dhe e shpërfytyron trishtueshëm! Loja mes tyre është si paraziti rriqra me viktimën. Partitë politike i kanë hipur në qafë demokracisë dhe shoqërisë dhe ua thithin pamëshirshëm lëngun e jetës, duke e dobësuar këtë të fundit në përmasa qesharake. Si pasojë e kësaj, demokracia në vend është shndërruar në një karikaturë, e cila të duket herë qesharake, herë e dhimbsur. Njeriu i rëndom as vet nuk di se çka të bëjë – o të qajë, o të qesh me këtë farë demokracie!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)