Bruksel, 16 tetor – Lideri i Partisë së Socialistëve Evropianë (PSE), Sergej Stanishev i ka dërguar letër kryetarit të Këshillit Evropian, Donald Tusk me të cilën kërkon që marrja vendimit për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE të vendoset në rendin e ditës në Samitin e Unionit, që do të mbahet nesër dhe pasnesër në Bruksel, njofton KOHA.
“Më lejoni ta theksoj nevojën që të bëhet një përpjekje përfundimtare – mundësi e fundit që të arrihet marrëveshje përfundimtare midis të gjithë liderëve evropianë lidhur me këtë çështje. Duke marrë parasysh rëndësinë e tij për interesat strategjike, ekonomike dhe të sigurisë të BE-së, besojmë se shefave të shteteve apo qeverive duhet t’u lihet mundësi për shqyrtim të mëtejshëm të çështjes”, thekson Stanishev.
Ai në letër thekson se “kryeministrat edhe të qeverive progresive të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë” kanë arritur progres të konsiderueshëm në rrugën e vështirë të reformave në të dyja shtetet.
“Duke i udhëhequr popujt e tyre, kryeministrat progresivë Zoran Zaev dhe Edi Rama kanë investuar kapital të konsiderueshëm politik, duke ndërmarrë reforma të vështira dhe kanë marrë vendime të vështira që të përparojnë në rrugën e tyre evropiane. Marrëveshja e Prespës midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, për shembull, me të cilin është zgjidhur kontesti shumëvjeçar për emrin midis të dyja vendeve, ishte jo më pak se historike”, shton Stanishev në letër.
Ai potencon se Marrëveshja e Prespës paraqet “demonstrim të vendosmërisë të udhëheqësve politikë të të dyja vendeve të kthejnë faqen e konfrontimeve në rajon dhe t’i çojnë shtetet e tyre në një epokë të re të bashkëpunimit ekonomik, solidaritetit dhe miqësisë së sinqertë”.
Stanishev shpreh druajtje se mos marrja e vendimit për filimin e negociatave për anëtarësimin me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërisnë “jo vetëm që do ta prishë kredibilitetin e BE-së, por do ta kanosë edhe politikën e zgjerimit dhe do ta dëmtojë procesin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor”.
“Nuk duhet të mos arrijmë sukses. Këtë ua kemi borxh jo vetëm popujve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe të gjithë qytetarëve të BE-së, të cilët presin sjellje të vendosur dhe lidership të ndërgjegjshëm, e jo vetëm “sinjale”, thekson Stanishev në letrën dërguar Tuskut. (koha.mk)