Në të kaluarën kishim shembuj edhe tek partia opozitare VMRO-DPMNE, ku pas humbjeve të njëpasnjëshme – shumë anëtarë të kësaj partie shprehën pakënaqësitë e tyre rreth kryesisë së partisë, dhe si pasojë e kësaj, simpatizantë të shumtë në zgjedhjet e fundit shumica prej tyre iu bashkangjitën partisë “E Majta”. Andaj edhe për paralajmërimet për formimin e partisë së Cërvenkovskit, analistët shprehen se më së shumti do të dëmtohet LSDM e kryeministrit Zoran Zaev, sepse anëtarët e pakënaqur në zgjedhjet e ardhshme lokale mund t’iu bashkangjiten partisë së ish-kryeministrit Cërvenkovski
Xhenur ISENI
Shkup, 6 maj – Në opinion, ditëve të fundit përsëri janë aktualizuar spekulimet se ish lideri i LSDM-së, Branko Cërvenkovski, i cili 20 vite ishte në krye të kësaj partie, do të formojë subjekt të ri politik dhe kështu duke iu prishur llogaritë partive tjera politike në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen ka mesi i muajit tetor. Sipas asaj që shkruhet në media e që nuk është mohuar nga Cërvenkovski, në këtë mënyrë do të artikuloheshin anëtarët e pakënaqur nga politikat e LSDM-së brenda partisë, të cilët për një kohë të gjatë janë të margjinalizuar. Jo zyrtarisht flitet se në LSDM ka shumë anëtarë të pakënaqur partiak, sidomos për shkak të ndodhive të fundit rreth drejtorit të shkarkuar të Inspektoratit të Tregut Stojko Panunovski, si dhe largimi i Radmilla Shekerinskës pas 8 viteve nga funksionin nënkryetar i partisë në pushtet. Kjo pakënaqësi ka kulminuar në Ohër, në të cilën anëtarë të LSDM-së dhe ish këshilltarë në Këshillin e Komunës kanë formuar një bord inicues për dorëzimin e listës për kandidatë të pavarur për këshilltarë nën moton “Ohri para se gjithash”. Përmes një kumtese ata informuan se qëllimi i tyre primarë është që në zgjedhje të ofrojnë listë qytetare “të përbërë nga persona profesionist, punëtorë, të ndershëm dhe mendjehapur, që do ta marrin udhëheqjen me Këshillin e Komunës dhe do ta shndërrojnë në vend ku qytetarët realisht i zgjidhin problemet e tyre lokale”.
Në të kaluarën kishim shembuj edhe tek partia opozitare VMRO-DPMNE, ku pas humbjeve të njëpasnjëshme shumë anëtarë të kësaj partie shprehën pakënaqësitë e tyre rreth kryesisë së partisë, dhe si pasojë e kësaj, simpatizantë të shumtë që me vite kanë votuar këtë parti, në zgjedhjet e fundit shumica prej tyre iu bashkangjitën partisë “E Majta”. Andaj edhe në paralajmërimet për formimin e partisë së Cërvenkovskit, analistët shprehen se nga kjo iniciativë më së shumti do të dëmtohet LSDM-ja e kryeministrit Zoran Zaev, sepse anëtarët e pakënaqur në zgjedhjet e ardhshme lokale mund të i’u bashkangjiten partisë së ish kryeministrit, Branko Cërvenkovski. Analisti politik, Arben Llalla thotë se paralajmërimet se ish-kryeministri Branko Cërvenkovski se do themelojë parti të re, e sheh më shumë si presione ndaj kryeministrit Zaev për t’i krijuar grupit të Cërvenkovskit pak terren për biznese private.
“Në Shqipëri dhe Maqedoni këto vitet e fundit nuk ka tashmë parti ideologjike, por parti të interesave personale të një grup njerëzish. Fjalën e kam për partitë e mëdha. Mos ta ushqejmë veten me iluzione ideologjike votuesit e gjerë. Nëse Cërvenkovski themelon parti përpara zgjedhjeve vendore, tetor-nëntor 2021, atëherë do kemi një dobësim të lehtë të LSDM. Pas zgjedhjeve vendore besoj që Zaev nëse shikon rrezikshmëri nga grupi i Cërvenkovskit do i lëshojë terren politikë dhe ekonomik, duke ndarë një pjesë të qeverisë me këtë grup. Nëse nuk shikon rrezikshmëri, atëherë Zaev do ta izolojë këtë grupacion. Do jenë zgjedhjet vendore ato që do të tregojnë forcën reale të Cërvenkovskit. Çfarë ideologjie do të ofrojë Cërvenkovski votuesit gri dhe të pakënaqurve të LSDM? Kjo është pyetja për Cërvenkovskin përpara nismës për parti të re”, ka deklaruar për KOHA, Arben Llalla, analist.
Nga ana tjetër, analisti politik Blerim Hyseni shprehet skeptik se Cërvenkovski mund të formon parti të re, por nëse ndodh e njëjta, sipas tij dëm më të madh do t’i shkakton LSDM-së. “Së pari nuk jam i bindur se Cërvenkovski pas një tërheqje disa vjeçare nga skena politike të rikthehet edhe atë nga fillimet e tij duke themeluar parti te re politike. Sidoqoftë nëse ndodh kjo atëherë sigurisht që dëmin më të madh do t’ia shkaktoje LSDM-së, nga e cila automatikisht do t’i marr ata që u larguan nga ky subjekt politik e që ishin themelues të kësaj partie por edhe emra tek të cilët është investuar për vite të tëra. Së dyti Cërvenkovski me përvojën e tij në skenën aktuale politike mund te pozicionohet mirë nëse kemi parasysh përçarjet në VMRO por edhe dallimet dhe mos bindjet në LSDM. Këto përçarje në dy subjektet më të mëdha politike të bllokut maqedonas mund të shfrytëzohen me mjeshtri nga Cërvenkovski”, ka deklaruar për KOHA, Blerim Hyseni, analist. (koha.mk)