Tiranë, 5 gusht – Forca më e madhe politike shqiptare, Partia Demokratike (PD) ka dalë me një deklaratë sa i përket zgjedhjeve lokale të 13 tetorit, ku ende nuk ka zyrtarizuar pjesëmarrjen.
“I vetmi akt me fuqi kushtetuese në lidhje me zgjedhjet është dekreti i presidentit Ilir Meta për zhvillimin e zgjedhjeve më 13 tetor. Është detyrim i pashmangshëm dhe i padiskutueshëm i KQZ-së dhe institucioneve të tjera shtetërore të përgatisin infrastrukturën për këto zgjedhje”, thuhet në reagimin e PD-së.
PD ka paralajmëruar edhe anëtarët e Partisë Socialiste (PS) në KQZ për përgjegjësi penale nëse nuk respektojnë Kushtetutën.
“Me moszbatimin e Dekretit të Presidentit, KQZ vazhdon t’i shërbejë pushtetit ilegjitim të Edi Ramës. Refuzimi i KQZ për të zbatuar Kushtetutën rikonfirmon se Edi Rama kontrollon në mënyrë të paligjshme atë dhe çdo institucion tjetër. PD paralajmëron shërbëtorët dhe kamikazët e KQZ se shpejt do të mbajnë përgjegjësi penale për aktet kriminale me të cilën dhunojnë Kushtetutën dhe ligjet e vendit”, thuhet në deklaratë.(koha.mk)