Kuvendi i Madh Popullor i Turqisë (TBMM) ka reaguar ndaj Senatit amerikan rreth rezolutës për pretendimet armene për ngjarjet e vitit 1915, transmeton gazeta KOHA.
“Si Kuvend i Madh Popullor i Turqisë, ne fuqishëm dënojmë dhe refuzojmë vendimin e miratuar në Senatin amerikan rreth të ashtuquajturit gjenocidi armen i cili shtrembëron faktet historike dhe nuk përfill rregullat themelore të së drejtës ndërkombëtare”, thuhet në një deklaratë të përbashkët nga parlamenti.
“Vendimi, të cilit i mungon ndonjë vlerë juridike… është pjesë e një loje të ndyrë”, thuhet në deklaratë.
Parlamenti u ka bërë thirrje historianëve që të informojnë me saktësi publikun për ngjarjet në fjalë, duke shtuar se Turqia ka hapur arkivat e saja të pasura për të gjithë studiuesit, përfshirë armenët.
“Vendimi i Senatit amerikan është i pavlefshëm për sa i përket historisë dhe ligjit, si dhe kombit tonë me famë dhe komunitetit global”, shtoi ai.
Qëndrimi i Turqisë për ngjarjet e vitit 1915 është se vdekja e armenëve në Anadollin lindor ndodhi kur disa morën anë te rusët pushtues dhe u rebeluan kundër forcave osmane. Një zhvendosje e mëvonshme e armenëve rezultoi në viktima të shumta.
Turqia kundërshton paraqitjen e incidenteve si “gjenocid”, por ngjarjet e vitit 1915 i përshkruan si një tragjedi në të cilën të dy palët pësuan viktima.
Për të shqyrtuar çështjen Ankaraja në mënyrë të përsëritur ka propozuar krijimin e një komisioni të përbashkët historianësh nga Turqia dhe Armenia, përfshirë ekspertë ndërkombëtarë.