Tetovë, 23 dhjetor – Në Universitetin e Tetovës më 29 dhjetor 2016 do të mbahen zgjedhjet studentore për kryetar të Parlamentit Studentor të UT-së, zgjedhjen e kryetarëve të Parlamentit Studentor në të gjitha fakultetet e UT-së, si dhe anëtarët e tjerë të këtij Parlamenti, përcjell gazeta KOHA. Vendimi, siç njofton Zyra për informim e UT-së, për shpalljen e zgjedhjeve për kryetar të Parlamentit Studentor të UT-së u soll më 12 dhjetor 2016, nga Komisioni Zgjedhor i Parlamentit Studentor. “Në këto zgjedhje do të garojnë dy kandidatë për kryetar të Parlamentit Studentor të Universitetit të Tetovës, studenti i Fakultetit të Administrimit të Biznesit, Argëtim Arifi dhe studentja e Fakultetit Juridik, Donika Kamberi, të cilët për t’i paraqitur kandidaturat e tyre kanë grumbulluar më shumë se njëmijë nënshkrime nga studentët. Të dy kandidatët tani më kanë filluar fushatën e tyre, duke shpalosur para studentëve platformën dhe programin e tyre, si dhe kandidatët për kryetar të Parlamentit Studentor nëpër Fakultetet e UT-së dhe anëtarët e tjerë të këtij organi”, thuhet në kumtesë. Kandidatja për kryetar të Parlamentit Studentor të UT-së, Donika Kamberi, fushatën për promovimin e platformës e filloi para studentëve të Fakultetit Ekonomik, Juridik, Filozofik dhe Filologjik. Ajo, para studentëve tha se përcaktimi i sloganit “Një kauzë, një e ardhme” ka për qëllim të qartësojmë vizionin tonë se deri ku pretendojmë të shkojmë ne si ekip, dhe misioni jonë varet nga Ju studentët, me besimin dhe inkorporimin që ky mision të përmbushet dhe ky vizion të arrihet. Kandidati për kryetar të Parlamentit Studentor të UT-së, Argëtim Arifi, fushatën për prezantimin e platformës e filloi me studentët e Fakultetit të Administrimit të Biznesit në Kumanovë. Nën moton “Vota jote ka peshë”, ai para studentëve të këtij fakulteti theksoi se nëse ai dhe ekipi i tij do të fitojë, do të angazhohet për një jetë studentore më të mirë, duke bashkëpunuar me të gjithë studentët, me qëllim që bashkërisht të realizojnë aktivitete të ndryshme, në të mirë të studentëve, universitetit dhe shoqërisë në përgjithësi në vendin tonë. Ditëve në vijim, studenti Argëtim Arifi platformën e tij do ta promovojë edhe para studentëve të fakulteteve të tjera të Universitetit të Tetovës. Deri më tani, në krye të Parlamentit Studentor të UT-së ka qenë studenti i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, Ardian Bilalli, kurse pas përfundimit të zgjedhjeve studentore, të cilat do të mbahen më 29 dhjetor do të mësohet emir i kryetarit të ri të Parlamentit Studentor të UT-së. (koha.mk)