Parlamenti i Sirisë, njohu si gjenocid vrasjen e deri në 1.5 milion armenëve nga ana e Perandorisë Osmane, gjatë viteve 1915-1917. Vendimi vjen në kohën kur tensionet me Turqinë janë në pikën më të lartë, për shkak të luftimeve në verilindje të Sirisë. “Parlamenti njeh dhe dënon gjenocidin e kryer kundër armenëve nga shteti otoman në fillim të shekullit XX”, tha parlamenti në një deklaratë.
Turqia është njëri nga aktorët kryesorë në konfliktin sirian, pasi mbështet forcat rebele që luftojnë kundër presidentit, Bashar al-Asad. Turqia, ka kundërshtuar një përcaktim të tillë, duke pretenduar se vdekjet ishin më shumë rezultat i grindjeve civile sesa një përpjekje e planifikuar e Qeverisë osmane për të asgjësuar armenët. Derisa kuvendi sirian merret me vrasjen e armenëve Kombet e Bashkuara kanë bërë të ditur se më shumë se 700.000 njerëz janë zhvendosur nga rajoni veri-perëndimor i Sirisë, që nga dhjetori, për shkak të një sulmi të vazhdueshëm të forcave qeveritare. “Kjo zhvendosje e fundit përbën një situatë tashmë të rëndë humanitare në në Idlib”, tha për agjencinë DPA, David Swanson, një zëdhënës i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare.
Sipas zyrtarit të OKB-së “qytetet e tëra në rajonin e Idlibit, janë zbrazur pasi një numër në rritje i civilëve po ikin drejt zonave që konsiderohen më të sigurta.