Shkup, 13 shtator – Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi ka caktuar seancë plenare për nesër me pikën e vetme në rend të ditës – shkarkimin e prokurorit special Katica Janeva. Seanca do të fillojë në orën 13:00, njofton Koha.mk
Kryetari i Parlamentit, Xhaferi të enjten deklaroi se nuk do të presë që të vijë 15 shtatori, në mënyrë që Parlamenti të vendos për shkarkimin e Janevës në të njëjtën ditë kur edhe i mbaron mandati prokurores speciale. Ai gjithashtu theksoi se ka siguruar pëlqimin me shkrim nga katër partitë kryesore politike, ashtu siç kërkon ligji për PSP-në.
Ndërkohë, procedura për shkarkimin e Janevës kërkon që Parlamenti të sigurojë shumicë prej dy të tretave të votave dhe votim me badenter. Pasi të miratohet në Parlament, propozimi kthehet në Këshillin e Prokurorëve Publikë, i cili do të duhet të merr vendimin përfundimtar. Procedura për shkarkimin e Janevës kishte filluar për shkak të paraburgimit të saj si e dyshuar në rastin “Zhvatja”. (koha.mk)