Shkup, 2 nëntor – Grupi parlamentar i LSDM-së do të ketë katër emra të rinj në Kuvend, ata do t’i zëvendësojnë deputetët të cilët u tërhoqën për të garuar në zgjedhjet lokale.
Nga LSDM janë larguar deputetët: Petre Shilegov (Qyteti i Shkupit), Stefan Bogoev (Karposh), Maksim Dimitrievski (Kumanovë), Sasho Pockov (Gjevgjeli) dhe Kosta Janevski (Strumicë).
Ndërsa, deputetë të rjnj të cilët janë emëruar janë: Tatjana Llallqevska, Aneta Simeska – Dimoska, Lidija Tasevska, Riste Tashev dhe Kostadin Kostadinov, njofton Medial.mk.
Ndryshime do të ketë edhe tek Lëvizja BESA, ku nga funksioni janë larguar lideri i kësaj partie Bilall Kasami, i cili garoi për kryetar në Komunën e Tetovës, ndërsa do ta zëvendësojë Nexhbedin Karemani, ndërsa në vend të deputetit Zeqirija Ibrahimi i cili garoi për kryetar të Komunës së Çairit do të zëvendësohet nga mjeku Rexhep Memedi.
Një ndryshim do të ketë edhe lista e deputetëve të PDSH, ku në vend të Bardhyl Dautit i cili garoj si kandidat për Komunën e Tetovës, do të emërohet Merale Uzeiri Ferati.
Ndërsa, në Kuvend priten të ndodhin edhe dy ndryshime të reja edhe atë për deputetët të cilët kanë shënuar fitore në rrethin e dytë. Bllagoja Boçvarski dhe Kurto Dudush nga radhët e LSDM-së, të cilët kanë shënuar fitore në rrethin e dytë të zgjedhjeve për Komunat e Shtipit dhe Komunës së Shuto Orizares, do të zëvendësohen me emrat paraprak.